Kulturë Çamiko, vallja që pushtoi Greqinë

Çamiko, vallja që pushtoi Greqinë

Nga Ervin Fetahu

Ndjenja, mbështjellëse e qënies, mister e burim rrezonues i botës njerëzore që përpiqet të gërshetoj energjitë e akumuluara nëpërmjet ngjarjeve të cilat e shoqërojnë ngado, ku vetë natyra jonë humane ndikohet prej evenimenteve e ceremonive të ndryshme, në gëzime e hare, hidhërime e momente krenarie, aty ku forca njerëzore dizenjon ndërtimin e karakterit dhe personalitetin saj.

Diku brenda kësaj krijese enigëm, zhvillohet një betejë dhe dualizëm midis ndjenjës, pra (shpirtit) dhe trupit (materies),tek vërejmë vetëm njërën anë të medaljes,aty gjendet ana tjetër,pra ndërthurja midis dy të kundërtave, trupit dhe shpirtit,le të ndalemi një çast të vetëm e të meditojmë se sa bukur harmonizohen mes njëra tjetrës, krijohet një efekt atraktonjës,pra fuqia misterioze e ndjenjës, shpërthen si vullkan… befas aktivizohen gjymtyrët,mimika,dhe kështu sinkronizohen lëvizjet tona,thua sikur janë valë deti pasojnjëse së njëra tjetrës…!! shputat e këmbëve trokasin e përplasen fortë mbi dhe…elektrizohen e më pas shkarkojnë energji kumbuese, shkarkojnë si rrufetë përmbi kreshtat e maleve… kjo është vallja jonë e bukur,ngjan me lisin e gjatë e të fortë, rrënjët e saj zgjaten dhe kacavirren rreth motit të shkuar e të largët,e moçme dhe e amshueshme si vetë ndjenja jonë. Mendja brilante dhe syri stërvitur nuk mundet të mos e eksploroj zanafillën e kësaj perle të shoqëruar me lëvizje akrobatike, elegante, mahnisin vështrimin e çdo kureshtari. Veçse, banorët e maleve të lartë Epirotas mund ta përsosnin kaq ëmbël dhe bukur artin e kërcimit…! Çudi,vërtet çudi…! vallë kush ua mësoi..?

Disa të dhëna e rrëfime na vijnë nga lashtësia, tek rrëfejnë se vallet e njohura e më të spikatura ishin vallet e burrave trima (Mollosian) pra malësorët e Epirit të cilët mbështetshin tek njëri tjetri si një forcë e vetme në formacionet e tyre ushtarake, dhe nëse formacioni çahej apo shthurej beteja ishte e humbur, kështu në të njëjtën mënyrë valltaret mbanin fort njëri tjetrin duke sjellë në valle element të lëvizjeve ushtarake në beteja të ndryshme,ndaj ata kërcenin dhe hidhnin valle me shpatat e mprehta si gladiatorë të vërtet, përngjante si një magji, ku pajiseshin me fuqi të mbinatyrshme dhe u shtohej forca përball armikut,pikërisht këtu fillon gjenealogjia e valles Pirrike, e cila daton prej kohës së Pirros Epirit.

Çamëria, vendi ku Çamiko-ja u zhvillua e u përsos, dhe u kurorëzua si princesha e gjithë valleve, fitoi statusin dhe trajtën e një kërcimi tradicional, kërcehej në mbarë hapësirën shqiptare,por jo vetëm…grekët fqinjë, nuk i rezistuan dot tundimit të kësaj valleje,ata e kopjuan dhe e adaptuan, edhe pse kurrë ata nuk arritën përvetësimin e saj.S’ka sesi të ish ndryshe,geni virtuoz Çam që e lindi dhe rriti, normal që do ta ngrinte në majën e olimpit shpirtëror, pas shumë e shumë betejave, i bëri ballë dhe i rezistoi të gjitha kohërave,por vetëm toka e Çamërisë mund ta marrë këtë sadisfaksion dhe atribut,ndaj kjo valle mbeti kryelartë.

Çamiko-ja, kjo tradite e lashtë çame i tregon Greqisë se me forcën që ajo mbart, është avokatja dhe mëkëmbësja e Çamëve në vendin Helen, fakt që ata nuk munden ta fshijnë apo manipulojnë,sepse emri i saj dëshmon se Çamëria nuk vdes,masakra dhe barbarizmat që ata i shkaktuan kësaj popullsie do i ndjekin nga pas si një hije e zezë turpi.Kodi i fshehtë i Çamiko-së zbërthehet dhe merr kuptim vetëm nën këmbët e shqiptarëve Çam,vetëm atyre u ka hije ta kërcejnë këtë valle,dhe a e dini pse…? sepse ata grekët, e kanë vjedhur dhe mësuar shumë shumë vonë, porse magjia dhe shija që u ka lënë kjo valle i ka bërë ta trajtojnë si (Pan-helenike), rrënqethen dhe drithërohen kur e shikojnë, ethet e kësaj valleje kanë pushtuar zemrat e tyre,ata e dashurojnë por nuk mundet ta tjetërsojnë origjinën e saj,të dehur nga pasioni,pohojnë me plot gojën e tyre se po kërcejnë Çamiko…dhe kur i pyet,kush janë të zotët dhe fisnikët e vërtet të këtij margaritari…?! ata ngrenë supet lart ,sa keq per ta,sa keq… !!! që nuk e dinë, apo ndoshta e dinë dhe nuk u vjen përshtat ta pranojnë!

Vallja Çame flet vetëm shqip, gluha e saj është gluha e Homerit,ajo zbukurohet si një nuse në këmbët e heronjve të Trojës, fustanella është mbulesa dhe xhevahiri i saj. Në vetë titullin që i kam vendosur shkrimit tim,termi pushtim është në një farë mënyre kolonizimi që i kemi bërë Greqisë me kulturën tonë,dhe kjo është dëshmi mëse e vërtet,dhe mund të perceptojmë se pushtimi presupozon demonstrimin e forcës numerike dhe dominimin kundrejt një force tjetër më të dobët se ajo,pra quhet pushtim fizik, dhe pikërisht kjo është realizuar nga Greqia me tokën Çame.Por ironia qëndron gjetkë, edhe pse Greqia e realizoi qëllimin e saj për spastrimin fizik dhe etnik të popullsisë çame,befas ajo u gjend krejt e pa përgatitur të luftonte me shpirtin Çam,me atë forcë që buron nga zemrat tona,dhe kështu dalë nga dalë u dorëzua dhe u pushtua nga vallja dhe fustanella jonë e bukur ,u dorëzua të dashur lexues, u dorëzua vërtet…

Vallja e lashtë Pirrike (Çamiko-ja),fustanella Ilire,mitet dhe hyjnite Pellazgjike kolonizuan mbarë Greqinë,dhe tashmë gjenden të folklorizuara dhe Pan-Helenike, e pse do të thoni ju…? është e thjeshtë,sepse e bukura i pëlqen edhe djallit…

Ja se si shprehen studiues, udhëtare e kalimtar të ndryshëm kur ndeshen me tokën Epirotase, pra me tokën Çame, habia e tyre për vlerën emocionale dhe estetike të valles,harmonizimin midis vokalit-instrumentit-levizjeve akrobatike të shoqëruara në këtë valle.

1-Autori André Barret, në librin e tij (vezhgim rreth Greqise) pohon se vallja Çame-Çamiko është një valle heroike, e cila e ka origjinën e saj nga Epiri (Thesprtoia).

2-Qëndra studimore e ekistikës, konkludonte në një simpozium të sajin në Athinë, se ka një paralelizëm dhe një ngjashmëri shumë të madhe midis valles Çame dhe lëvizjeve të valleve Skoceze,po pse pikërisht fustanella Kelte(Skoceze) dhe vallja ka një ngjashmëri kaq të madhe…?! Sepse legjionet romake në Angli,kishin shumë ushtar Iliro-Epirot të cilët ngelën atje dhe lanë zakonet dhe veshjet e tyre.

3-Në librin (Greqia) te Paul Hellander, citohet dinjiteti dhe krenaria e valles çame.

“Vallja, shpesh herë karakterizon nuancat dhe natyrën e atyre që e kercejnë, dhe s ka si të ndodhë ndryshe dhe në Epir,aty ku kërcehet vallja (çamiko) me një dinjitet dhe burrërri, thua sikur u ngjan maleve që ka perreth për nga madhështia.”

4-Tullia Magrini, ish profesor i antropologjisë në fakultetin e Bolonjës.

“Natyra e valles Greke virtuoze (solo) të tilla si (squats) apo hapa, te mbështetura nga personi i dytë në linjë, i ndeshim tek vallja çamiko (tsamiko), emri i së cilës buron nga shqiptarët-çamë …”

5-Ndërsa autorja Rozana Mozaki shprehet kështu për çamët në librin e saj (Vallet greke për amerikanët)

“Në kohët e sotme vallja çame është kthyer pan-helenike,ajo kërcehet si nga meshkujt ashtu edhe nga femrat,emri i kësaj valleje vjen nga Çamët,banorët që kanë jetuar në rajonin e Çamërisë pra në Epir.Ajo po ashtu quhet edhe kleftiko, sepse është kërcyer edhe nga kaçaket apo luftëtarët suliotë të cilët kontribuan në çlirimin e greqisë më 1821.”

6- Nigel Allenby Jaffé në librin e tij Folk dance of Europe (Valle popullore të Evropës ) pohon se vallja Çamiko buron nga zona e (Tsamidon-Tsamouria) pra nga Çameria dhe u bë një valle shumë e preferuar për kaçakët dhe luftëtarët e maleve,po kështu edhe vallja legjendare e Osman Takës, ku vendëlindja dhe djepi i saj ndodhet në tokën Arbërore Çame.

Nuk më ngelet tjetër,veç të theksoj në mbyllje të këtij shkrimi modest, se sa shumë vite e mote do të kalojnë,aq shumë kjo valle do të mbesë,është tharmi dhe palca e identitetit tonë shqipëtar,ky identitet i pavdekshëm i cili u ngec si një halë në fyt manipulatorëve të historisë,dhe nuk arrijnë ta kapërdijnë dot. Ndaj o shqiptar i mirë…. mësojua vallen e shqipeve gjeneratave që vijnë pas,se kjo valle na mban kokën lartë, e na burrëron.