Ristrukturimi i sektorit bankar është zhvillim pozitiv që pritet të ndihmojë në rritjen e konkurrencës dhe krijimin e kushteve të nevojshme për nxitjen e ritmit të kreditimit në vend.
Këtë e ka bërë të ditur kreu i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore në Uashington.
Sipas Sejkos, ky sektor përshkoi një fazë ristrukturimi me futjen e aktorëve të rinj dhe bashkimin e disa bankave. Ndërsa u ndal te rritja ekonomike, kreu i BSH-së tha se ka vazhduar trendin pozitiv, mbështetur dhe nga politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë.
Në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar Financiar të FMN-së vihet në dukje se:
“…Rritja globale po vazhdon, por me një ritëm më të ulët se ai i parashikuar në tetor. Rritja parashikohet të forcohet në vitin 2020, por rreziqet mbeten në kahun e poshtëm.
Ato përfshijnë tensione tregtare, pasiguri politike, rreziqe gjeopolitike, dhe një shtrëngim të papritur dhe të theksuar të kushteve financiare, në një mjedis me hapësirë të kufizuar për politikën, nivele të larta historike të borxhit, dhe brishtësi të rritura financiare.
Gjithashtu, sfida të tjera vijojnë të mbeten të pranishme që prej një kohe të gjatë.”
Gjatë pjesëmarrjes në Mbledhjet e Pranverës të FMN dhe BB-së, Guvernatori Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare.