Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka sqaruar shqetësimin e qytetarëve nëse kartëmonedhat janë mbartëse të koronavirusit.
Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, Sejko ka thënë se për këtë çështje, Banka e Shqipërisë ka kontaktuar me Organizatën Ndërkombëtare të Kartëmonedhës.
“Lidhur me cash, kemi marrë dje nga Organizata Ndërkombëtare e Kartëmodhenës, që cashi trajtohet njëlloj si të gjithë sipërfaqet tjera, që nuk është përhapës i sëmundjes. Është njëlloj si gjithë sipërfaqet e tjera të prekshme nga qytetarët. Nuk është element që kërkon vëmendje të veçantë, nuk ka nevojë për dezinfektim”.
I pyetur për masat që janë ndërmarrë për punonjësit e bankave të nivelit të dytë dhe aktivitetin e tyre të punës, Sejko sqaroi: “Ne kemi çuar disa udhëzime për bankat e nivelit të dytë. Bankat ditën e nesërme kemi marrë vendim të mos të punojnë, por të kenë siguruar të gjitha pagesat online dhe nëpërmjet cash. Në javën e ardhshme parashikojmë që aktiviteti do të fillojë normal. Lidhur me masat që ka të bëjë për punonjësit, kemi dërguar udhëzim të qartë për të marrë masat e duhura lidhur me higjienizimin, për të ruajtur distancën, për të pasur një numër të kufizuar punonjësish”.
Sa i përket vendimit të sotëm të BSH që ka shtyrë me 3 muaj këstet për qytetarët që kanë kredi në bankat e nivelit të dytë, Guvernatori i BSH bëri me dije se kjo nuk do të thotë falje e tyre.
“Lidhur me kreditë, kjo nuk është falje e kësteve të kredisë, por është shtyrje me afat 3-mujor për ata klientë që nuk kanë arsye të paguajnë këstin. Kjo masë është marrë njëlloj dhe për institucionet e tjera financiare, edhe për institucionet e tjera jo banka”.