Një komision hetimor parlamentar ka konstatuar se gjatë deportimit të 6 gylenistëve nga Kosova, janë bërë 31 shkelje ligjore. Reagon ambasada e SHBA-së, duke u mbështetur nga Gjermania dhe Britania e Madhe.
Edhe një vit pas deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, të njohur si rasti i gylenistëve, ambasadat e SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë dhe ajo e Turqisë në Kosovë, vazhdojnë përplasjen deklarative rreth këtij rasti. Në 1-vjetorin e deportimit të gjashtë shtetasve turq, të akuzuar nga autoritetet turke si pjesëtarë të organizatës, si e cilësojnë ata, “terroriste FETO”, Komisioni Hetimor Parlamentar që hetoi këtë rast, konstatoi se gjatë deportimit të tyre, janë shkelur të paktën 31 kritere nga autoritetet kosovare. Kryetari i Komisionit për Mbikqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencën, Faton Topalli, ka thënë se ka pasur shkelje drastike. “Çështja e gylenistëve është trajtuar në Kuvendin e Kosovës, është krijuar edhe një komision hetimor parlamentar, rezultatet e këtij komisioni dihen.” Sipas tij, “fjala ka qenë për një shkelje drastike të të drejtave të njeriut”.
Reagim i SHBA
Në këtë linjë edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë reagoi për mosmarrjen e masave adekuate ligjore ndaj institucioneve përgjegjëse për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, duke konstatuar se “presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike”. “Kaloi afro një vit që kur Kosova pa një proces të rregullt dëboi gjashtë shtetas turq nga Kosova, nën dyshimin se ata paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës. Ne ishim të kënaqur të shihnim themelimin e një komisioni hetimor parlamentar, i cili zbuloi shkelje ligjore lidhur me incidentin, pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Ambasada amerikane në deklaratën e saj thekson më tej, se “gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë në 31 shkelje ligjore ose procedurale nga ana e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera, ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik”. Në këtë kuadër Ambasada e SHBA-së u bën thirrje “institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin dhe rikujtojnë liderët e Kosovës që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit”.
I njëjti qëndrim edhe nga Gjermania e Britania e Madhe
Deklarata e ambasadës së SHBA-së u mbështet edhe nga ambasada e Gjermanisë dhe ajo e Britanisë së Madhe në Kosovë. “Sundimi i ligjit është thelbësor, prandaj, një komisioni parlamentar gjithashtu duhet t’i mundësohet t’i paraqesë gjetjet e tij”, shkroi në Twitter ambasadori gjerman, Christian Heldt. Në të njëjtën linjë shprehet edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Ruari O’Conell. ”Ne mbështesim plotësisht deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë të dhënë për dëbimet e qytetarëve turq në marsin e kaluar. Institucionet e Kosovës duhet të jenë të përgjegjshme dhe t’i nënshtrohen sundimit të ligjit”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike.
Kundër reagimi i ambasadës turke
Pas këtyre deklaratave ka reaguar menjëherë ambasada e Turqisë në Kosovë, e cila duke cituar zëdhënësin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, thotë se “autoritetet turke po korrin rezultate konkrete në luftën kundër shtrirjeve të organizatës terroriste FETO” jashtë Turqisë”. “Është duke u kuptuar gjithnjë e më shumë se organizata në fjalë paraqet një rrezik serioz jo vetëm për Turqinë, por edhe për ato vende ku është duke vepruar ajo. Prandaj i ftojmë partnerët dhe aleatët e tjerë që në vend që të përpiqen për të bllokuar masat e marra kundër FETO-os, në të njëjtën mënyrë të tregojnë një qasje të kujdesshme”, citohet zëdhënësi Hami Aksoy, në njoftimin e bërë publik nga Ambasada e Turqisë në Kosovë.
Në mars të vitit të shkuar, policia e Kosovës arrestoi gjashtë shtetas turq, punonjës në disa shkolla, në pronësi të klerikut turk Fetullah Gulen, të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi. Gjashtët shtetasit turq ju dorëzuan autoriteteve turke në një operacion që la pas vetes shumë paqartësi dhe dëbimi i tyre u tha se u bë përmes një aksioni të koordinuar mirë ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që u deklarua se nuk kishte njohur për operacionin, shkarkoi ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi. Në korrik të vitit të kaluar u themelua një komision hetimor parlamentar, i cili gjeti se gjatë operacionit janë bërë 31 shkelje ligjore. Shkeljet më të mëdha janë bërë nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Fondacioni FETO i Klerikut Fetullah Gulen, që jeton në SHBA-së drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin Perëndimor përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni dhe pesë në Kosovë.
Bekim Shehu/DW