Manchester City do të jetë klubi i ri i Erling Haaland. Ylli norvegjez, që tërhoqi vëmendjen e të gjithë klubeve të mëdha të futbollit europian, duket se ka zgjedhur Premier Leaguen për të vijuar karrierën dhe konkretisht “citizens”-at e Pep Guardiolës.
Mediat britanike konfirmojnë arritjen e marrëveshjes mes palëve, me Borussian e Dortmundit që do të arkëtojë 75 milionë euro nga kartoni i sulmuesit norvegjez, ndërsa ky i fundit do të përfitojë një pagë prej 30 milionë eurosh neto në sezon.
Zyrtarizimi i transferimit pritet të bëhet maksimumi në fillim të javës së ardhshme, pasi këtë fundjavë do të luhen edhe ndeshjet e fundit të Bundesligë, me Borussian e Dortmundit që do të presë Herthën e Berlinit në “Signal Iduna Park”, aty ku Haaland do të përshëndetet me tifozët e verdhezinjve.
Për kartonin e Haaland u përfshinë në garë shumë klube, si Reali i Madridit, Barcelona, PSG-ja, Manchester United e Chelsea, por në fund garën e ka fituar Manchester City dhe një rol mjaft të rëndësishëm ka luajtur spanjolli Pep Guardiola.