Nga Romelda Bozhani
Ata ishin shqiptarë. Shkodranë, më saktë. Dhe ishin të bukur, tërë nur e qeflinj si mirditorë. E kthyen përbys aeroportin e Romës ndërsa prisnim avionin e linjës. Ishte hera e parë pas shtatë vjetësh që ktheheshin në Shqipëri. Ishin emigrantë që jetonin në Skoci e sapo kishin marrë dokumentat.
Mua m’u hapën sytë kur i pashë ashtu të shëndetshëm e të zhurmshëm. Ishte pragu i Vitit të Ri dhe unë kisha vendosur të kthehesha në shtëpi. Dy vjet larg shtëpie. Edhe unë ndihesha si e babëzitur. Vija nga Dar-es-Salaami dhe m’u desh të udhëtoja njëzetë e katër orë për të mbërritur në Tiranë. Në Romë ishte ndalesa ime e dytë e stërgjatë. Ambasada italiane në Tanzani s’më kishte dhënë vizë për të shkelur tokën dhe mua m’u desh të prisja një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nëntë, dhjetë orë në aeroport. M’u desh të prisja edhe vonesën e avionit të linjës, Alitalia. Ashtu, nga një stol në tjetrin, nga një dyqan në tjetrin, nga një lokal në tjetrin. E mbushur me rraqe të shumta, unë prisja.
Pritja ime e parë tranzit ishte në aeroportin e Addis-Abbebës. Etiopia, me njerëzit që vdesin rrugës dhe me aeroplanë të fuqishëm, më bëri përshtypje edhe pa lëvizur nga vendi. Gjithë udhëtimit nuk rreshta së foluri për Shqipërinë. Fqinjët e mi, pakistanezi që jetonte në Afrikë dhe izraeliti turist i rastësishëm, u dashuruan pas Shqipërisë. Sepse e doja unë Shqipërinë.
E prita së bashku me izraelitin avionin e radhës pasi përcollëm pakistanezin tonë që i duhej të merrte avionin për tjetërkund. Të ulur në kafenenë e aeroportit, ne flisnim e flisnim. U bashkuan me ne edhe dy tanzanezë që i kisha njohur rastësisht në aeroportin e Dar es Salaamit. “Bukuri”, mendoja ndërkohë, “ja katër njerëz të ndryshëm që bashkohen lehtësisht. Kur të shkoj në Shqipëri, do t’i puth të gjithë”.
Dhe i desha shumë ata njerëz që më lehtësuan udhëtimin e gjatë. I desha shumë edhe shitëset etiopase, joshëse si bukë majoshe, që më lehtësuan nga çantat e shumta të dorës. Ashtu, pa i njohur e pa më njohur, më thoshin: “Mos u lodh, e dashur! Lëri çantat këu sa të vijë avioni yt, t’i shohim ne, pa merak”.
M’u duk gjëja më normale në botë ky vëllazërim besimesh që të lehtësonte kësisoj. Unë harroja që ndodhesha ende në Afrikë.
Europën e ndjeva qysh në gjashtë të mëngjesit. E sfilitur nga gjumi i pagjumë i avionit, isha e etur për një kafe.
“Shko paguaj te kasa”, më tha italiani te banaku. Shkova te kasa, pagova, u ktheva te banaku dhe u vura në radhë. Më erdhi radha. U kujtova që bashkë me kafenë doja edhe një shishe ujë.
“Shko e merre te frigoriferi”, tha italiani i kasës. “Paskam mbërritur me të vërtetë në Europë”, mendova.
“Shumë të ndërlikuar jeni.”, iu drejtova e bezdisur kasierit indiferent, “Kam gjysmë ore që s’po mundem dot të pi një kafe. E të mendosh që kam udhëtuar gjatë gjithë natës! Po sheqerin, mos duhet ta marr në katin tjetër?!”.
“Nga vjen ti?”, më pyeti ai i çuditur.
“Nga Afrika”, i thashë, “dhe po shkoj në vendin tim. Atje, në lokalin tim të preferuar, kamarieri të pyet: ç’të kërkon trupi që në pikë të mëngjesit, motra?! A e kupton se si të shkon kafeja pas një pritjeje të tillë?!”
“Ah, prandaj!”, u përgjigj ai duke hapur sy e gojë bashkë nga gjumi i shkëputur me përdhunë.
“Lëre fare”, ia bëra. Ndjeva mërzi sikur atij njeriu t’i kishte ardhur vetja në majë të hundës. U ula. Me vete, ngjitur pas tryezës së vetmisë sime, vendosa karrocën mbushur me plaçka të shumta.
Më duhej të blija dhurata. Shitëset më thanë se pa një pullë siguracioni s’dilte gjë nga dyqani i tyre. Ajo pullë gjendej një Zot e di se ku, nga ana tjetër e aeroportit. Duhej të zbrisja ca shkallë, duhej të përshkoja ca korridore e salla e, në fund, t’i hipja një treni. Njerëzit të mbysnin me parfumin e tyre të freskët, ndërsa unë sillja djersën dhe teshat e lehta nga Afrika e nxehtë.
“Më duhet të lë plaçkat diku, do kthehem”, i thashë policit me xhaketë me rripa të verdhë.
“Bën mirë t’i marrësh me vete”, më tha, “S’ka kush t’i ruajë. Njerëzit s’kanë besim sot”.
“Ç’jeni bërë ju kështu?!”, iu ktheva. Dhe po bëhesha gati të ngarkohesha nga të katër anët sërish me bagazhet mia.
“Do pimë kafe bashkë kur të kthehesh?”, më pyeti polici me buzën në gaz.
Ato dy fjalë të shkëmbyera në ato dy minuta ia vlejtën një besim dhe një kafe. “Bukuri!”, mendova duke hequr zvarrë çantat, “B ota qenka bërë më ironike nga ç’e mbaja mend”.
Njerëzit më pengonin me vrapin e tyre mospërfillës e lodhja më kishte mposhtur qysh në Etiopi kur në dymbëdhjetë të natës m’u desh të merrja avionin për në Itali. Prandaj m’u hapën sytë kur erdhi ora për avionin tim të fundit. Do të isha mes shqiptarësh, do të flisja shqip.
E ndjeva veten mes shqiptarësh vetëm kur familja shkodrane u dëgjua qysh larg. Gjëmonin nga zëri i lartë, nga hokat e nga lodrat. Deri në atë çast, unë isha rrethuar nga shqiptarë që bënin sikur s’ishin shqiptarë. Të heshtur, të zymtë, indiferentë, të përmbajtur, të shkëputur. Ata shqiptarë dukeshin të mbushur me ndjesi faji e inferioriteti. Të bindur që njerëzillëku dhe nxehtësia e tyre e dikurshme, sot, quhej e tepërt. Nga njëra anë më vinte një shqipe e çalë e përzier me një italishte të çalë. Edhe çifti që kisha përballë nuk fliste shqip. Të ulur përkrah njëri–tjetrit, ata flisnin një anglishte për t’u patur zili. Se ku e kisha parë atë vajzë! I shihja dhe prisja që veshi të më kapte të paktën një fjalë shqip. Por ata, anglisht e vetëm anglisht. E lodhur, e mërzitur, hapa librin që e kisha marrë si fishek vetmie qysh nga Dar-es-Salaami. Kështu më gjeti vajza fëmijë e familjes shkodrane. M’u afrua dhe u ul pranë meje. Veshi më kapi shqip. E ëma, një grua e ngjallur, përpiqej të vinte rregull në zhurmën që krijonin të bijtë.
“Hajde këtu, mor skocez i keq!”, i bërtiti vogëlushit që s’linte dy gurë bashkë. Vogëlushi ishte një bukuri katër vjeçare me kaçurrela të arta e belbëzone anglisht. Djali i madh vinte nga pas së bashku me të atin. Duart i kishin plot me çanta të rënda.
“Nga jeni ju?”, pyeta vajzën pranë meje. Mezi e përmbaja veten nga entuziazmi. Ndërsa unë prisja përgjigje, ajo u çua me ndrojtje e iu afrua së ëmës.
“Mami”, i tha, “ajo vajza është shqiptare. Më foli shqip por unë nuk i kuptova të gjitha fjalët”.
“S’ke faj”, iu përgjigj e ëma, ”Ke ikur e vogël nga Shqipëria”. E tërë shend e verë u drejtua nga unë me një buzëqeshje ngjitëse.
“Më lodhën”, tha. U rehatua pranë meje e vazhdoi: ”Ky i vogli është i tmerrshëm fare, s’u ka lënë gjë për prapështi skocezëve….”.
“Maaaa”, e ndërpreu djali i madh, “Ki kujdes çantat! Thonë që këtu në Itali të grin mafia”.
“Ik, mor bir!”, ia ktheu tërë duar e këmbë e ëma,”S’plasi mafia për brekët tona!” Dhe e qeshura e shkundi të tërën. Ajo e qeshur si gjëmim më zuri edhe mua. Doja ta puthja edhe vogëlushin tërë kaçurrela, por ai u largua e më pa tërë inat si të isha ndonjë rrezik.
M’u ndërmend vajza e vogël e çiftit kanadez, bujtës të përhershëm në shtëpinë time në Tanzani. E puthja here pas here atë vogëlushe, por duket se puthjet e mia i bezdisnin prindërit e huaj. Një ditë, me gjuhën e saj tërë ledha, vajza më tha se e ëma dhe i ati nuk donin që unë ta puthja. Atëherë, edhe unë e quajta nxehtësinë time të tepërt. Përmbajtja ime me çiftin kanadez u tkurr deri në një përshëndetje të thatë mëngjesore. Për gjatë gjithë ditës më pas, mbyllesha në vetminë e dhomë sime.
“Të thashë”, m’u drejtua ajo grua si e zënë në faj, “ky ka kokë skocezi…Po ia rregulloj unë qejfin këtij!”. E buçiti me të madhe: “Hajde more të të kiss një herë”. E rrëmbeu nga krahu pa pyetur për mjaullitjet e klithjet e të birit, ia ngjiti buzët në faqe dhe e puthi me sa fuqi kishte. U ndje zhurma e një “ah!” kënaqësie të madhe që doli nga gjoksi i bëshëm i saj. I vogli fshiu faqen, iu hakërrye anglisht së ëmës dhe ia mbathi drejt kushedi ç’ngatërrese apo prapështie skoceze.
Erdhi, më në fund, çasti i nisjes. Një zë, një altoparlant në gjuhë të huaj, sërish në një tjetër gjuhë të huaj, lajmëroi nisjen. Doja të angazhoja edhe çiftin përballë meje në festën tonë të vogël. Por askush nga ata nuk belbëzonte në gjuhën time dhe e kuptova që nuk bënin gjoja. Ata ishin amerikanë e vinin në Shqipëri për herë të parë. Kishin adoptuar një vajzuke shqiptare që mezi ç’prisnin ta shpinin në shtëpinë e tyre. Dukeshin të shplodhur e të qetë. Buzëqeshnin në drejtime të ndryshme pak si të hutuar e ecnin me hap të lehtë. Në duar nuk mbanin asgjë.