Grupimi i hakerave, “Homeland Justice”, pas të cilit dyshohet se qëndron Irani ka publikuar në faqen e tyre numrat e telefonit, emrat, mbiemrat dhe numrat e kartave të identifikimit për mijëra shqiptarë.
Publikimi i këtyre të dhënave është shoqëruar prej grupimit me shënimin: “Loja sapo ka filluar! Qytetarët duhet të kuptojnë se politikanët e tyre të korruptuar nuk kanë bërë asgjë për sigurinë e tyre”.
Bëhet fjalë për materiale që shkojnë rreth 2GB. Më herët, hakerat kanë publikuar edhe mesazhet që pretendohet se janë në e-mailet personale të kryeministrit Edi Rama, ministrave dhe të zyrtarëve të tjerë të institucioneve.
Të dhënat dyshohet se janë siguruar gjatë sulmit kibernetik të fundit të korrikut, ku e-Albania doli jashtë funksionit për thuajse tre javë.
Sulmi po hetohet nga autoritetet shqiptare dhe në këtë hetim janë bashkuar edhe specialistë të FBI-së amerikane.