Politika Rama skeptik edhe pas deklaratës së Scholz: Nuk jam i sigurt që...

Rama skeptik edhe pas deklaratës së Scholz: Nuk jam i sigurt që do të ketë përshpejtim të integrimit

Kryeministri Edi Rama u shpreh me nota skepticizmi se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian mund të përshpejtohet. Rama është mosbesues, pavarësisht deklaratës së kancelarit gjerman, Olaf Scholz këtë të hënë se duhet të hiqet unanimiteti i BE në marrjen e vendimeve, për të shmangur pengesat nga një shtet i vetëm, siç ndodhi me rastin e Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria.

“Sinqerisht nuk jam i sigurt që do të ketë një përshpejtim, në përgjithësi për shkak të arsyeve gjeopolitike, por dua të shpresoj që për shkak të arsyeve gjeopolitike, komuniteti i ri europian politik i propozuar nga Macron dhe i shtjelluar nga Charles Michel, për të cilin po punojmë së bashku me qeverinë holandeze dhe unë me kryeministrin Rutte do të përshpejtojë. Është një ide shumë e rëndësishme dhe me shumë potencial”, tha Rama nga Sllovenia, ku po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit.

Ndërkohë, i pyetur për atë që po ndodh mes Kosovës dhe Serbisë, Rama tha: “Mendoj që ende është turp i madh që qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirisht pa viza, ndërkohë që e bënin këtë kur ishin nën një regjim barbar, ndaj çlirimtarët e tyre po i mbajnë peng dhe ky është një paradoks mjaft i rëndë dhe i turpshëm i kohëve tona. Sa i takon dialogut midis tyre, e kam fjalën midis Kosovës dhe Serbisë, jam i bindur siç kam qenë se nuk ka vlerë të humbasim kaq shumë kohë, kaq shumë energji, në vend që të ulemi e të zgjidhim problemet siç u ulën në fund të fundit”.

Sakaq, Rama pranoi se mes Tiranës dhe Prishtinës ka diferenca mendimi, por jo mospërputhje. “Natyrisht kemi disa dallime, çka është normale sepse jemi dy shtete të ndryshme dhe mbështesim plotësisht Kosovën dhe autoritetet kosovare kur vjen fjala për kërkesën e tyre këmbëngulëse për njohje, por kemi një pikëpamje paksa ndryshe se si të arrihet aty. Ne jemi shumë më tepër pro bashkëpunimit dhe ndërtimit hap pas hapi, duke marrë si shembull vende të tjera të cilat arritën të prodhonin histori të jashtëzakonshme suksesi nga konflikti dhe gjakderdhja”, tha Rama.