Sukses spektakolar dhe me përmbysje i Borussias së Dortmundit falë “monstruozit” Halaand. Në sfidën e parë të fazës së dytë, ndaj Augsburgut në transfertë, verdhezinjtë arritën të fitonin me goleadë 3-5, kur deri në minutën e 58-të po humbnin 3-1.
Në pjesën e parë për vendasit realizoi Niederlechner dhe sapo nisi e dyta dyfishoi shifrat Richter. Brandt në të 49-ën shkurtoi diferencën në 2-1, por Augsburgu gjeti golin e tretë sërish me Niederlichner.
Në këtë moment, trajneri i Dortmundit, Favre, nuk priti më gjatë, duke hedhur në fushë blerjen e madhe të merkatos së janarit, Erling Halaand. Sapo talenti norvegjez shkeli në fushë (56’), bëri diferencën, duke i dhënë një tjetër drejtim lojës.
19-vjeçarit i mjaftuan vetëm 3 minuta lojë për të tundur rrjetën (3-2), i shërbyer nga Sancho, ndërsa ky i fundit shënoi golin e barazimit vetëm pak çaste më vonë.
Halaand, i freskët fizikisht, ishte thjesht fantastik, duke shënuar edhe dy gola të tjerë në minutat 70 dhe 79, për rezultatin përfundimtar 3-5. Një debutim ëndrrash për zbulimin e sezonit në radhët e Salzburgut e me sa kuptohet vërtet një “bingo” në merkato për Dortmundin.
Fitore shumë e rëndësishme edhe për Werder Bremenin e Milot Rashicës në fushën e Dusseldorfit. Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës ekzekutoi goditjen e lirë që u shndërrua në asist për Moisander, i cili realizoi golin e vetëm të këtij takimi. Me këtë sukses, skuadra e Rashicë prishi ecurinë negative prej 4 humbjesh radhazi.
Në ndeshjet e tjera Kolni iu imponua 3-1 Wolfsburgut, Hoffenihemi dështoi në shtëpi 1-2 me Eintracht Frankfurtin, ndërsa Mainz-Frieburg përfundoi 1-2.