Bruce Friedrich ka qenë vegjetarian për 30 vite, por së fundi ka nisur të provojë përsëri shijen e mishit. Kjo, jo sepse ka hequr dorë nga bindja e tij, por për shkak të hamburgerave me mish artificial, krijuar në laborator nga qeliza të nxjerra prej kafshëve.
Friedrich e rrëfeu vet eksperiencën e veçantë gjatë konferencës së teknologjisë dhe dizajnit, mbajtur në Vankuver të Kanadasë, ku ishte e pranishme dhe firma “Beyond Meat”, e cila u krijoi delegatëve mundësinë që ta provojnë edhe ata mishin e rrallë.
Friedrich foli në takim për mënyrën sesi mishi i rritur në laborator mund të ushqejë popullsinë në rritje të botës, e të zgjidhë në të njëjtën kohë edhe çështjet mjedisore.
Mishin e krijuar nga burime qelizore, publiku i gjerë do të mund ta shijojë në vitin 2020, e fillimisht çmimi do të jetë paksa i kripur: 50 dollarë për një hamburger, sepse edhe kostoja e prodhimit nuk është e vogël.
Shpresat janë që ky çmim të vijë duke u ulur me kohën, kur të gjenden edhe mënyra të reja për një prodhim më masiv.
“Natyrën njerëzore nuk e ndryshojmë dot, – thotë Friedrich. – Atëherë le të ndryshojmë mishin”.
Qelizat e kafshëve, siç shpjegon ai, do të ruhen në banka qelizash. Praktikisht, dy janë zgjidhjet e propozuara nga instituti i tij “Good Food”: ky i ashtuquajtur “mishi i pastër”, i cili rritet nga qelizat në laborator; dhe produktet e ngjashme me mishin, por që për bazë kanë bimët.