Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka vendosur që të rihapë xhamitë për besimtarët. Duke vlerësuar situatën e COVID-19, është vendosur një protokoll, për gjithë besimtarët, në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes në ambientet e xhamisë.
Moshat mbi 65 vjeç dhe ata nën 12 vjeç, nuk do të lejohen në xhami. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka urdhëruar të gjitha myftinitë që të marrin masat e nevojshme për faljen e namazit të Fitër Bajramit nëpër xhami, duke respektuar të njëjtin protokoll.
Në një prononcim për Euronews Albania ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra e cilësoi këtë një lajm shumë të mirë dhe një gëzim të dyfishtë sipas tij, pasi përkon me natën e Kadrit që është e rëndësishme jo vetëm për myslimanët.
“Është një lajm i mirë për gjithë shqiptarët dhe shoqërinë kthimi në normalitet pas një periudhe 10 javore. Sidomos besimtarët, pas një periudhe të dhimbshme për të drejtën e ushtrimit të besimit, veçanërisht të faktit që qëlloi edhe në muajin e shenjtë të Ramazanit. E trishtueshme është ndalimi i ardhjes në xhami i fëmijëve dhe të moshuarve. Besoj se do të jetë mjaftueshëm dezinfektimi dhe higjiena personale që është kusht për çdo besimtar”, tha ish-myftiu.
I pyetur se si do të veprohet këtë vit me faljen e namazit të Fiter Bajramit, duke qenë se vitet e fundit është falur në sheshin ‘Skënderbej’, myftiu u shpreh i keqardhur me faktin se me shumë mundësi këtë vit do të jetë e pamundur të falet në atë mënyrë, megjithatë ai sugjeroi që kjo që gjë të bëhej e mundur në zonat e gjelbra.
“Vit pas viti jemi falur shumë paqësisht në mënyrë madhështore në sheshin Skënderbej, do jetë e vështirë këtë vit dhe do të jemi të detyruar të ndrydhemi brenda xhamive.
Më e mira do të ishte të mund të falej në sheshe në qytete të caktuar, duke respektuar normat e higjienës, por do të jetë e vështirë, nuk besoj se është e mundshme. Megjithatë, do të ishte e mundshme falja e Bajramit në hapësira publike në zonat e gjelbër”, tha ish-myftiu Gurra.