Politika Opozita tërhiqet nga reforma zgjedhore, Basha: Nuk pranojmë të jemi fasadë

Opozita tërhiqet nga reforma zgjedhore, Basha: Nuk pranojmë të jemi fasadë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në komunikimin me mediat pas takimit të zhvilluar me 18 ambasadorë të Bashkimit Evropian u tregua mosbesues sa i përket diskutimeve të deritanishme të tryezës për reformën zgjedhore, duke theksuar se PD refuzon të jetë fasadë në një tryezë, ku siç tha nuk ka vullnet për reformë.

“Nuk varet nga ne rikthimi në tryezë. Vullneti nuk shprehet me fjalë, por me vepra. Më shumë se kurrë sot topi është në anën e PS. Qeveria nuk ka vullnet për reformë zgjedhore. Ajo ka refuzuar të gjitha propozimet tonë. Ne do shfrytëzojmë rastin më të afërt për zgjedhje të reja dhe me standarde për qytetarët shqiptarë”, tha kryedemokrati.

Basha tha se në takim me ambasadorët e Bashkimit Evropian ishin diskutuar dy çështje të rëndësishme, integrimi që sipas tij me qeverisjen dhe kryeministrin aktual po shënon hapa pas dhe ekonomia, që në kushtet e pandemisë është duke hyrë në një krizë edhe më të thellë.

Kreu i demokratëve tha se kishte shprehur gjithë vullnetin e PD për ta çuar vendin para në rrugën e integrimit në BE, ndërsa shtoi se i kishte kërkuar ambasadorëve që të shohin mundësinë e mbështetjes ekonomike të vendit, në kushtet kur sipas tij 7 në 10 shqiptarë e shohin veten në vështirësi të theksuara ekonomike.