Burgu i ri i Shkodrës shumë shpejt do të presë edhe të burgosurit e parë. Të paktën kjo kuptohet, pasi Ministria e Drejtësisë po kërkon staf. Nga kjo e shtunë, Ministria ka shpallur konkursin e hapur për 342 pozicione pune në Burgun e Shkodrës, përkatësisht 327 pozicione për punonjës të rolit bazë dhe 15 pozicione për punonjës të rolit të mesëm.
Afati i dorëzimit të aplikimeve do të jetë i hapur deri më 3 dhjetor për të dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme, ku kandidatët do të njoftohen nëpërmjet postës elektronike për informacione në lidhje me plotësimin e kritereve, dhe procedurën e konkurrimit dhe vlerësimit.
Kandidatët për pozicionin e Punonjës me Status Polici në “Policinë e Burgjeve” duhet të plotësojnë kriteret e përgjithshme si vijon si dhe kriteret e posaçme të parashikuara në Urdhrin nr. 6783 datë 13/11/2017 bashkëlidhur:
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht, për të kryer detyrën;
- Të mos jetë dënuar penalisht me vendim gjykate të formës së prerë.
Në vlerësim do të kenë prioritet kandidatët që kanë qenë pjesë e forcave të armatosura ose që kanë shërbyer në policinë e shtetit.
Kandidatët për Punonjës Civil në IEVP duhet të plotësojnë kriteret e përgjithshme si vijon si dhe kriteret e posaçme të parashikuara në Urdhrin nr. 6783 datë 13/11/2017 bashkëlidhur:
- të jetë shtetas shqiptar;
- ka zotësi të plotë për të vepruar;
- është në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht, për të kryer detyrën;
- nuk është dënuar penalisht me vendim gjykate të formës së prerë.
Personeli shëndetësor, përveç diplomës, duhet të jetë i pajisur edhe me lejen e ushtrimit të profesionit.\