Kryeministri Edi Rama publikon listën e plotë të bizneseve që do të lejohen të hapen pas 27 prillit. Në këto biznese përfshihen shitjet me pakicë të mallrave në dyqane të specializuara, taksitë, shitja me pakicë e tekstileve dhe këpucëve, tregtia me pakicë e mobileve, pajisjeve të ndriçimit, artikujve shtëpiake, dyqanet e luleve, bimëve, kafshëve shtëpia dhe ushqimit të tyre në dyqane të specializuara, dyqanet e orëve dhe bizhuterive, pajisjeve audio dhe video, aktiviteti i publikimit të muzikës, tregtia e qilimave, sixhadeve, veshjeve të mureve lodrave,shitjet me pakicë e sistemeve të sigurisë etj.
Kryeministri shprehet se të gjitha këto biznese që do të hapen në fazën e dytë duhet që të plotësojnë protokollin e sigurisë dhe masave kundër COVID-19 në aktivitetin e tyre, në të kundërt do të mbyllen. Gjatë deklaratës për mediat, Rama tha se do të qëndrojnë gati për t’u rikthyer në fazën fillestare nëse epidemia do të arrije në nivele të padëshirueshme.
“Ja aktivitetet që do të lejohen të hapen nga e hëna 27 prill. Të gjitha bizneset duhet të marrin vërtetimin për hapje aktiviteti në e-albania dhe të njihen me protokollin e sigurisë përmes www.e-albania.al. Vërtetimi dhe protokolli duhet të disponohen në mjediset e biznesit përkatës. Nga hapja e këtyre bizneseve kthehen në punë 27.589 punonjës dhe pavarësisht fillimit të punës përfituesit nga paketa e parë apo paketa e zgjeruar, nuk do ta humbasin mbështetjen financiare prej 3×26.000 apo 1×40.000 lekësh. Shërbimi taksi do të ketë protokoll të veçantë”, shkruan Rama.
Shërbimi taksi pas 27 prillit, masat e veçanta që duhet të plotësojnë
“Shërbimi taksi do të hapet pas 27 prillit, por do të ketë protokoll të veçantë”, deklaroi sot kryeministri Rama, ndërsa në portalin e-albania janë publikuar të gjitha kushtet dhe kriteret që taksitë duhet të ndjekin.
Në taksi nuk lejohet të udhëtojë më shumë se një person dhe përjashtim bëjnë vetëm shoqërimi i fëmijëve të mitur dhe personave me aftësi të kufizuar. Pasagjeri ulet gjithmonë pas dhe diagonalisht me shoferin, ndërsa duhet të jetë i pajisur me doreza dhe maska gjatë gjithë kohës që është brenda taksisë.
Gjithashtu shërbimet e taksive do të ofrohen vetëm brenda qytetit dhe në asnjë lloj rasti nuk do të lejohet shërbimi ndërqytetës. Në rast kontrolli nga policia, pasagjeri duhet të tregojë arsyet e lëvizjes me taksi dhe leje-daljen e marrë për atë arsye.
Çdo shofer është i detyruar të deklarojë nëse ka pasur kontakt me persona që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, subjekti lejohet të veprojë vetëm në orarin e caktuar 05-00 deri në 17:30.
Në taksi duhet të zbatohen të gjitha masat e ruajtjes së higjienës për shmangien e infektimit me COVID-19, ku shoferi duhet të përdorë maska e dorëza dhe dezinfektues si dhe të higjienizojë makinë para turni dhe pas mbyllje së turnit të punës.
Dezinfektuesit e duarve duhet t’u ofrohen edhe klientëve sa herë kur hipin në makinë dhe kur dalin. Në taksi nuk do të lejohet kondicioneri por ajrosja natyrale.