Ramush Haradinaj ia njeh si meritë vetes faktin që dialogun për normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e ka kaluar në një nivel më të lartë, në tavolinën e Angela Mekel dhe Emmanuel Macron.
Gjatë një tubimi në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, kryetari i AAK, tha se kishte arritur ta ndalte dialogun që sipas tij po shkonte në drejtimin e gabuar për Kosovën, ndërsa nuk nguroi të kritikonte përsëri Shefen e BE për Politikat e Jashtme, Federica Mogherini. “Ishte e rëndësishme, ju siguroj për këtë, që të ndalej dialogu i zonjës Mogherini. Jo që ta merrja unë, por duhej ndalur, sepse ai dialog ishte në drejtimin e gabuar, jo transparent me rreziqe për Kosovën”, tha Haradinaj nga Istogu.
“Për fat, merrni deklaratat e mia prej nisjes së qeverisë dhe pikërisht atë që kam thënë pikë për pikë ka ndodhur, është ndalur dialogu i zonjës Mogherini, i është hequr edhe zotit Thaçi dhe zotit Vucic dhe është çuar në tavolinën e Kancerlares Merkel dhe Presidentit Macron. Nuk ishte e lehtë të arrihej kjo, madje nuk do të kishte ndodhur pa mirëkuptimin e Shteteve të Bashkuara, pa përkrahjen e tyre. Pra, nëse dikush ka pasur dilema se a e lejon Kosova ndarjen mendoj që jo, të gjithë e kanë marrë vesh se në Kosovë nuk mund të ndodhë ndarja”, shtoi Haradinaj.