Sport “Cikli i zjarrit” me Barçën dhe Juven, Conte iu beson besnikëve

“Cikli i zjarrit” me Barçën dhe Juven, Conte iu beson besnikëve

Pas Milanit dhe Lazios në pak ditë, tani Barcelona dhe Juventusi. “Cikli i zjarrit” të Interit vazhdon, pas Sampdorias, një ndeshje më e lehtë në letër. Antonio Conte e kthen vështrimin nga blaugrana-t dhe bardhezinjtë. Në dy ndeshjet e fundit, trajneri zikaltër ka përdorur 18 lojtarë të ndryshëm. Vetëm 4 prej tyre nuk u kursyen: Handanovic në portë; De Vrij dhe Skriniar në mbrojtje, Brozovic në mesfushë. Këta futbollistë përbëjnë “shtyllën kurrizore” të Interit, së bashku me Romelu Lukakun dhe Stefano Sensi, ndër më të aktivizuarit (dhe më të suksesshmit) në sfidat e para sezonale.

Siç raportohet nga “Tuttosport”, disa “rikthime” (krahasuar me ndeshjen e fundit) ka të ngjarë të konstatohen kundër Barcelonës, duke filluar nga Diego Godin, i cili kompleton treshen në mbrojtje, ndërsa në mesfushë shkon drejt konfirmimit Asamoah, në korsinë e majtë, përkundër performancës së mirë të Biraghi ndaj Lazios. Në fakt, dyshimet e Conte kanë të bëjnë me tri pozicione: e djathta e jashtme e mesfushës, e djathta brenda mesfushës dhe partneri i Romelu Lukaku. Për të parin, balotazh ka midis Antonio Candreva dhe Danilo D’Ambrosio.

Ky i fundit tregoi siguri në ndeshjen kundër Lazios. Për të shoqëruar Sensin dhe Brozovic në mesfushë, në Ligën e Kampionëve, Barella duket i favorizuar, edhe pse kundër Juventusit fizikaliteti i Gagliardini e Vecino mund t’i vinte në ndihmë trajnerit Conte. Misteri më i madh lidhet me partnerin e Lukakut në sulm. Sanchez e ka përjashtuar veten nga ndeshja kundër Juventusit për shkak të skualifikimit (kartonit të kuq që mori në “Marassi”). Politano dhe Lautaro Martinez rivalizojnë për një fanellë, por kjo, gjithashtu, mund të varet nga performanca në “Camp Nou”. Sidoqoftë, Conte do të ketë diçka parasysh, kur të “dekretojë” formacionin ideal për këto dy supersfida: mbi të gjithë, “besnikët”…