Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u ngjit sot në bjeshkët e Belegut, pas një takimi goxha të vështirë që kishte me të dërguarin e Amerikës, David Hale.
Takimet e kryeministrit me amerikanët janë shpeshtuar kohëve të fundit, pas presionit të SHBA-ve për pezullimin e taksës ndaj Serbisë. Madje, Haradinaj po konsiderohet si lideri që po i prish marrëdhëniet me amerikanët pas insistimit për mbajtjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe.
Por siç duket Haradinaj, pavarësisht vërejtjeve dhe ultimatumeve të SHBA-ve, i ka shumë për zemër amerikanët.
Në fotografitë e postuara në Facebook nga ngjitja e tij në bjeshkët e Belegut, shihet bluza e kryeministrit e cila ka të stampuara dy flamuj, atë të SHBA-ve dhe të Kosovës.
Në sfondin kryesor të saj është edhe harta e Kosovës, në të cilën është i shkruar një mesazh.
“In this family no one fight alone”, shkruhet në bluzën e Haradinajt, e që në shqip do të thotë “në këtë familje askush nuk lufton vetëm”.
Nuk dihet nëse Haradinaj përmes këtij mesazhi u ka dërguar porosi liderëve kosovarë, kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli e presidentit Hashim Thaçi, për të cilët ka thënë se i kanë pranuar shumë lehtë kushtet e Serbisë për heqjen e taksës, apo vetë SHBA-ve.