Kuvendi i Kosovës po diskuton dhe pritet të miratojë në shqyrtim të dytë Projektligjin për buxhetin për vitin 2019, e pak përpara nisjes se seancës, Ramush Haradinaj njoftoi shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo.
Largimi i ministrit serb ishte kushti i vendosur nga socialdemokratët në këmbim të votës së tyre për projektbuxhetin e kundërshtuar nga opozita. Lista Serbe kohë më parë ka thënë se nuk është më pjesë e Qeverisë së Kosovës dhe se në Kuvend do të jetë pjesë e opozitës.
Megjithatë, ministrat e kësaj partie që përfaqëson komunitetin serb, e kishin vazhduar të dorëhequr punën e tyre. Emri i ministrit Rikalo ishte përfolur për shpërdorime në ministrinë e Bujqësisë, por lista serbe ka tjetër variant për këtë ngjarje.
Largimi i tij, sipas saj, është bërë sepse kjo parti nuk pajtohet me politikën e Kosovës. Subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, që gëzon mbështetjen e Beogradit, ka 9 deputetë në parlamentin e Kosovës dhe drejton tre ministri në qeverinë e saj.
Sakaq, asgjë nuk ka lëvizur në frontin tjetër, atë të krizës së koalicionit qeverisës, që ka shkaktuar taksa e shumëdiskutuar mbi produktet serbe.
Haradinaj nuk e përjashtoi të enjten mundësinë e ndryshimeve në skenën politike te vendit, për shkak të mospajtimeve brenda koalicionit, rreth tarifës 100%, ndërsa Shtetet e Bashkuara këmbëngulin në heqjen e saj me qëllim që t’i hapet rruga procesit të bisedimeve me Serbinë.
Sipas disa raporteve të pakonfirmuara në mediat vendase, ekzekutivit i është vendosur data 4 shkurt si afat për heqjen e taksës, por Avni Arifi, shefi i stafit të Haradinajt, e ka hedhur poshtë këtë pretendim.