Aktori i famshëm amerikan Harrison Ford shfrytëzoi një tubim ndërkombëtar në Dubai për të kritikuar pikëpamjet e presidentit amerikan Donald Trump dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët mohojnë se ka ndryshime klimatike.
“Kudo në botë, apo liderët në vendin tim, për të ruajtur interesat e tyre, mohojnë ose pengojnë shkencën. Ata janë në anën e gabuar të historisë“, tha Ford në samitin vjetor mbi qeverisjen globale.
Trump, pak muaj pasi mbërriti në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017, vendosi të tërhiqej nga marrëveshja ndërkombëtare për luftën ndaj ndryshimeve klimatike, duke argumentuar se një aranzhim i tillë mund të rrezikonte ekonominë amerikane.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar në fund të vitit 2015 në Paris, rreth 200 vende u zotuan për reduktimin e ngrohjes globale nën dy gradë Celsius.
Shkencëtari parashikojnë se nëse ky qëllim nuk arrihet, do të ndodhin ndryshime ekstreme të klimës.
“Sot kemi nevojë për natyrën më shumë se kurrë, nëse duam të mbijetojmë në këtë planet”, tha Ford, duke shtuar se natyra nuk ka nevojë për njerëz, por njerëzit kanë nevojë për natyrën.