Një shqiptar 36-vjeçar, me inicialet D.M., u arrestua në Romë, pasi u kap me 37 pako hashashi, që siç duken në fotot e publikuara nga policia italiane, kishin të stampuar fotografinë e meksikanit Joaquín Guzmán, i njohur si “El Chapo”, një prej trafikantëve më të mëdhenj të drogës.
Shqiptari u arrestua pas lëvizjeve të dyshimta me automjetin e tij, ndërsa nuk ka gjurmë të ndonjë bashkëpunëtori.
Ndërkaq, mediat italiane kanë publikuar edhe rezultatet e hetimit disavjeçar të prokurorisë në lidhje me një grup ndërkombëtar të trafikimit të drogës, që përbëhej nga shqiptarë (të gjithë nga Vlora) dhe nigerianë që njihen edhe si “black cats” (macet e zeza, pasi kishin tatuazhe të kësaj kafshe në trup).
Sipas prokurorisë, vlonjati me inicialet G.B. dhe nigeriani Sule Momodu ishin shefat përkatës të grupit shqiptaro-nigerian që kishte në përbërje me dhjetëra anëtarë. Asnjë gjurmë të Camorrës, Ndragetës apo ndonjë organizate tjetër mafioze, vetëm vlonjatët që vitet e fundit dërguan tonelata hashash në brigjet italiane dhe nigerianët që përgjigjeshin për shitjen.