Qeveria ka sinjalizuar pezullimin e punimeve për ndërtimin e hidrocentralit në Kanionin e Holtës. Gjatë së shtunës, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga ministri i Turizmit, Blendi Klosi zhvilloi një takim me banorët e zonës.
Dy përfaqësuesit e kabinetit qeveritar shoqëroheshin në këtë takim nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
“Kemi ndërmarrë pezullimin e të gjithë aktiviteteve të HEC-eve që janë licencuar, ose që janë në proces licencimi, për të bërë një skanim të pastër të statusit të tyre juridik dhe të shohim përputhshmërinë me impaktin mjedisor që ata krijojnë”, u shpreh ministrja Balluku.
Balluku shtoi se masa nuk kishte të bënte vetëm me hidrocentralin e Holtës, por edhe me rastet e tjera ku është dhënë leja dhe punimet janë në fazë fillestare, ose nuk kanë nisur ende dhe që bien ndesh me ligjet dhe cenojnë natyrën. Ministrja foli për nevojën e gjetjes së një ekuilibri mes nevojës për zhvillim dhe mbrojtjes së natyrës.
Ministri Klosi e interpretoi këtë si pezullim të punimeve për ngritjen e hidrocentralit në kanionin e shpallur monument natyror dhe të mbrojtur.
Disa prej qytetarëve që morën pjesë në këtë dëgjesë qortuan institucionet për mungesën e transparencës dhe që nuk ishin konsultuar më parë për këtë temë. Ndërkohë, nga kompania “Era Hydro”, e cila ka marrë lejen në prill të 2018 për ndërtimin e këtij HEC-i thonë se vepra nuk cenon kanionin dhe të gjitha procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjet në fuqi.
Kanioni i Holtës është shpallur “Monument Natyror” prej vitesh, por ndërtimi i hidrocentralit rrezikon që ta zhdukë këtë kanion nga harta e destinacioneve turistike të vendit.