Kryesore Helidon Bendo jep dorëheqjen si drejtor i SHISH dhe bëhet këshilltar i...

Helidon Bendo jep dorëheqjen si drejtor i SHISH dhe bëhet këshilltar i Edi Ramës

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar sot lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo.

Shkarkimi i tij ka ardhur me propozim të kryeministrit Edi Rama.

“Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafit 2, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar, me propozim të Kryeministrit, dekretoj:

Zoti Helidon Bendo, lirohet nga detyra e drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar”, thuhet në dekret.

Pas njoftimit të Presidencës, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Shefi i qeverisë shkruan në rrjetet sociale se Bendo do të angazhohet si këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë.

“Me Helidon Bendon, Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili për arsye të vazhdimit të studimeve pasuniversitare në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë, pranë Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara, ka dorëzuar dorëheqjen. Ai do të angazhohet në vijim si këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë“, shkruan Rama në Facebook.