Një parukiere në Wuhan tregon për mediat se heqja e masave shtrënguese gjatë ditëve të fundit për shkak të epidemisë së koronavirusit ka bërë që të ketë një “lumë” kërkesash për shërbimet e saj.
39-vjeçarja Xiong e kalon ditën duke udhëtuar me biçikletën elektrike për të shkuar në shtëpitë e klientëve që kërkojnë shërbimet e saj, të cilët ashtu si ajo ishin mbyllur në shtëpitë e tyre që nga janari për shkak të Covid-19.
Një nga klientët e Xiong tregon për mediat se ishte qethur për herë të fundit në muajin dhjetor dhe për këtë arsye, duke qenë se shumë dyqane janë ende të mbyllura, kishte kërkuar shërbimet e 39-vjeçares.
Xiong punonte në një sallon bukurie, i cili ashtu si shumë biznese të tjera përreth Kinës u mbyllën për shkak të masave shtrënguese të qeverisë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit, i cili deri tani iu ka marrë jetën mbi 3300 vetave, pjesa më e madhe e të cilëve në Wuhan.