Kosova ishte e para që ju gjend pranë Shqipërisë në tragjedinë e tërmetit të 26 nëntorit.
Ishin grupet e kërkim-shpëtimit nga Kosova që mundësuan shpëtimin e dhjetëra njerëzve nën rrënoja.
Për heroizmin dhe solidaritetin vëllazëror, Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e Artë të Shqiponjës Task Forcën e Kombinuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Ekipit të Zjarrfikësve të Kosovës, Njësitit K9 të FSK-së, Ekipit të Koorporatës Energjetike, Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Artanës si dhe Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Trepçës.
Në fjalën e tij presidenti Meta ndërsa nuk kurseu falenderimet për shtetin dhe popullin e Kosovës, tha se tërmeti provoi se themelet e solidaritetit mbarëshqiptar janë më të forta se kurrë.
“Edhe ky 28 nëntor që sapo lamë pas na gjeti të përbashkuar si asnjëherë më parë, në historinë tonë, të gjithë shqiptarët kudo ku ishin për t’u përballur me pasojat katastrofike që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit. Në këtë betejë të vërtetë, tashmë me një bilanc të rëndë lufte, Shqipëria nuk mbeti e vetme. Shumë vende mike dhe partnere bënë më të mirën e mundshme për të na u gjendur pranë sa më shpejt të ishte e mundur. Por Kosova ishte e para që u ndodh atje në luftën për të shpëtuar jetën e çdo shqiptari nën rrënojat e katastrofës.
Kosova duhet të jetë krenare për Forcat e Sigurisë së saj por edhe të policisë që demonstruan profesionalizëm të lartë dhe bashkëkohor. Ju shpëtuat shumë jetë, ndihmuat shumë të lënduar dhe na u gjendët pranë në momentet më të vështira”, deklaroi Meta.