Në Uashington po intensifikohet mbledhja e dëshmive në kuadër të hetimeve mbi Presidentin Trump që mund të çojë në hapjen e procesit për shkarkimin e tij të mundshëm për abuzim autoriteti.
Hetimet përqëndrohen tek roli që mund të ketë luajtur Presidenti Trump në ushtrimin e presionit ndaj Ukrainës për të hetuar një rival politik.
Një numër figurash aktuale ose të mëparshme të administratës po dëshmojnë këtë javë para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbimet e Zbulimit.
Alexander Vindman është një ndër figurat qendrore me dijeni direkte nga bisedat e Presidentit Donald Trump me homologun ukrainas.
Zoti Vindman, specialist për Ukrainën në Këshillin për Sigurinë e cilësoi si “të parregullt” kërkesën e Presidentit Trump drejtuar Presidentit Zelensky për të hapur hetime që kishin si objektiv pretendentin presidencial demokrat, Joe Biden dhe familjen e tij.
Nënkoloneli ka qenë i përfshirë direkt në përgatitjen e pikave kryesore për bisedën mes dy udhëheqësve si në pranverë të këtij viti, ashtu edhe në 25 korrik, kur zoti Trump i kërkoi udhëheqësit ukrainas t’i bënte një nder, duke hapur hetime mbi rivalin e tij. Zoti Vindman menjëherë raportoi lidhur me përmbajtjen e bisedës tek këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë.
Në dëshminë e së martës ai përsëriti që kërkesa e bërë gjatë bisedës ishte, në pikëpamjen e tij, për interes vetjak politik të presidentit dhe jo në interes të vendit.
Presidenti Trump thotë se nuk e ka bërë këtë në telefonatën me presidentin ukrainas dhe se demokratët thjesht kërkojnë largimin e tij.
Habi për telefonatën e 25 korrikut shprehu edhe Jennifer Williams dëshmitarja tjetër në sesionin e paradites të martën, këshilltarja e Nënpresidentit Mike Pence për Evropën dhe Rusinë. “Më 25 korrik, së bashku me disa kolegë ishim të pranishëm dhe dëgjuam telefonatën e Presidentit Trump me Presidentin Zelensky. Telefonata m’u duk e pazakontë sepse, ndryshe nga telefonata të tjera presidenciale që kisha ndjekur, përfshinte diskutime që dukej se lidheshin me çështje të brendshme”, tha ajo.
Zonja Williams nuk pranoi të shtonte komente të tjera lidhur me telefonatën. Ajo ia kaloi fjalën avokatit të saj, i cili shpjegoi se zyra e nënpresidentit e trajton këtë si temë delikate, që nuk mund të diskutohet në një seancë publike dhe ajo do të ofronte përgjigje me shkrim për anëtarët e komisionit.
Të martën ofruan dëshmitë e tyre edhe Kurt Volker, ish-përfaqësues i Presidentit Trump për Ukrainën, si dhe Timothy Morrison, i cili ka shërbyer për një kohë të gjatë si ndihmës republikan në Kongres.
Presidenti Trump mbetet sfidues në komentet e tij, duke këmbëngulur se bisedat e tij me presidentin ukrainas nuk kishin asgjë të parregullt dhe se demokratët janë të motivuar nga synime politike. Ai i ka akuzuar ata që kanë ofruar dëshmi dhe interpretime negative ndaj presidentit si zyrtarë me ngjyrim partiak, të betuar anti-trumpistë.
Seancat e kësaj jave janë të parat dëshmi që u kanë dhënë mundësi amerikanëve të dëgjojnë direkt nga zyrtarët mbi zhvillimet e muajve të fundit dhe që mund të shërbejnë si bazë për hapjen e procesit për shkarkim të mundshëm të presidentit./VOA