Ndonëse ka kaluar një javë nga grabitja e Rinasit dhe megjithëse janë regjistruar hetimet edhe për shpërdorim detyre, për të zbuluar zyrtarët përgjegjës që kishin për detyrë të garantonin sigurinë në aeroport, grupi i hetimit ende nuk ka pyetur asnjërin prej tyre.
Pas veprimeve të ngutshme hetimore, sikurse janë kqyrja e vendngjarjes, sekuestrimi i kamerave të sigurisë dhe përgjimet telefonike, prokurorët vazhdojnë të sekuestrojnë dokumenta jo vetëm pranë aeroportit “Nënë Tereza” dhe pranë Autoritetit të Aviacionit Civil, për prokurorinë veprimet e para hetimore i ka kryer policia, e cila sidoqoftë ka pyetur disa orë pas grabitjes së 5.7 milionë eurove zyrtarë të TIA-s, të cilët ja lënë përgjegjësinë kompanisë ICTS.
Nga ana tjetër, me shpresën se do të zbulonin diçka mbi bashkëpunëtorët e Admir Muratajt, vrarë gjatë shkëmbimit me armë zjarri me policinë, është pyetur edhe bashkëshortja e 47-vjeçarit, Albana Alidhima. Por, ajo ka deklaruar se kishte së paku 3 vite pa e takuar bashkëshortin dhe se nuk kishte asnjë dijeni se me kë shoqërohej ai.
Krahas përpjekjeve për të zbuluar gjurmë të shokëve të Admir Muratajt, që përpara se të vritej ishte gjithashtu një i shumëkërkuar prej drejtësisë, prokurorët po rishikojnë një varg ngjarjesh të dhunshme të viteve të fundit në fushën e grabitjeve. Dyshimi kryesor i prokurorëve bën fjalë për përfshirjen në grupin e grabitjes së Rinasit të disa personave që më herët gjithashtu janë lakuar për sulme të bankave dhe jo vetëm. Mes të dyshuarve është edhe një i shumëkërkuar tjetër, si edhe një 38-vjeçar i cili është lakuar si anëtar i një grupi grabitësish që vepronte jashtë vendit.
Por, të gjitha këto janë dyshime për hetuesit të cilët pavarësisht çoroditjes hetimore, për diçka janë të sigurtë. Grabitësit e 9 prillit, përveç bashkëpunëtorëve që i ndihmuan për të çorientuar policinë teksa dogjën një makine në drejtimin e kundërt nga ata ishin fshehur, ky grup ka gjithashtu edhe bashkëpunëtorë të brendshëm në Aeroportin e Rinasit.