Duke iu referuar çështjeve penale për goditjen e korrupsionit në shtet, drejtuesi i SPAK Altin Dumani ka qetësuar administratën që të punojë e qetë për sa kohë respekton ligjin.
Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve ku prezantoi raportin e punës 1-vjeçare të SPAK, Dumani tha se administrata nuk është target në vetvete, por kur ka raste korrupsioni.
Kreu i SPAK bëri thirrje që administrata të punojë e qetë dhe në respektim të ligjit.
“Administrata le të rrijë e qetë, le të përmbushë detyrimet ligjore dhe funksionale dhe sa kohë që janë në respektim të ligjit, ata le të vazhdojnë të punojnë të qetë. Patjetër, në rast se nga hetimet tona konstatojmë sjellje në kundërshtim me ligjin, ashtu siç dhe ligji na detyron, ne do ushtrojmë ndjekjen penale. Por dua ta deklaroj, që administrata të vazhdojë e qetë të përmbushë detyrimet ligjore dhe funksionale. Ne nuk kemi target konkret. Jo. Ne kemi burimet tona të informacionit, kemi hetuesit tanë, kemi institucionet, kemi institucione të tjerë, Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare që mund të na sinjalizojnë dhe me iniciativë që fillojmë procedimet penale. Por administrata duhet të vazhdojë të punojë e qetë sa kohë që puna e tyre është në përputhje me ligjin”, u shpreh Altin Dumani.