Aktualitet Korrupsioni në drejtësi, Dumani: Shqetësimi im më i madh janë gjyqtarët e...

Korrupsioni në drejtësi, Dumani: Shqetësimi im më i madh janë gjyqtarët e prokurorët që kanë kaluar vetingun

Shqetësimi më i madh i kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, janë gjyqtarët e prokurorët që kanë kaluar vetingun.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Fatmir Xhafaj për luftën e korrupsionit në drejtësi, në komisionin e ligjeve dhe sigurisë kombëtare, Dumani theksoi se është utopi “të pranojmë që ata që kaluan vetingun nuk do të korruptohen”.

Sipas tij, mund të ndeshemi me persona me natyrë korruptive.

“Jam i shqetësuar me ata që kanë kaluar vetingun dhe vazhdojnë të jenë në sistem që mund të ndeshemi para me persona me natyrë korruptive. Ky është shqetësimi im më i madh. Këtu jemi të vëmendshëm edhe nga media e shoqëria civile e politika kur ka denoncime ne mbajmë shënime, bëjmë vlerësimet tona paraprake, nuk bëjmë regjistrim procedimi penal ia nënshtrojmë një procesi filtrimi krijohet baza e të dhënave pastaj regjistrohet procedimi penal. Ne vjet arrestuam një prokuror në detyrë, proceduam një gjyqtare në detyrë. jemi sh të vëmendshëm në këtë drejtim koha do ta tregojë. I kemi në vëmendje, më shumë më shqetëson kjo kategoria tjetër”.

Ai paralajmëroi se të gjithë janë të ekspozuar ndaj korrupsionit dhe paralajmëroi se do t’i bëjë publike kur të vijë koha çështjet penale në hetim.

“Duhet të pranojmë që kaluan vetingun dhe nuk do të korruptohen prokurorë e gjyqtarë, kjo është utopi. Janë të ekspozuar. Jemi të ekspozuar të gjithë. Në Jemi të vëmendshëm dhe ne si institucion do të kemi çështje penale që do të hetojmë kur të vijë koha do t’i bëjmë publike dhe t’i raportojmë vitin që vjen”.

Sa u takon gjyqtarëve e prokurorëve të shkarkuar nga vetingu, Dumani theksoi se SPAK e ka shumë të kufizuar juridiksionin.

“Sa u takon gjyqtarëve e prokurorëve të shkarkuar nga vetingu, ne juridiksionin e kemi shumë të kufizuar. Të çosh për gjykim 4 gjyqtarë, ndër të cilët dy të GJL e dy GJK nuk janë pak se aq gjyqtarë janë. Për gjyqtarët e prokurorët e Shkallës së Parë dhe të Apelit, ne edhe nga to vendime pak ndoshta, kemi regjistruar duke marrë indicie nga vendimet e KPK, ku kemi nuhatur që mund të kemi një vepër penale më natyrë korruptive që na bën ne kompetentë. Por kjo është detyrim për prokurorinë  e juridiksionit të përgjithshëm dhe duhet dhe ata të jenë aktivë, nuk është përgjegjësi e SPAK të hetojë këtë kategori subjektesh”.

Sa i përket SPAK-ut, Dumani theksoi se është një proces vetingu brenda këtij institucioni, një “kambanë alarmi brenda vetes sonë” e cilësoi ai.

“Sa i takon brenda SPAK, unë jam i vëmendshëm, kemi dhe një proces vetingu brenda institucionit që janë vetuar 60 veta. Një tjetër është larguar nga detyra. Kemi 9 të dorëhequr për shkak të vetingut, por jemi me kambanë alarmi edhe brenda vetes tonë”.

I pyetur për presionin mediatik dhe politik, Dumani tha se në ndihmë u vjen pavarësia kushtetuese edhe ligjore për të vepruar.

“Prokurorët e SPAK janë dhe ndjehen të pavarur këtë pavarësi ia ka garantuar ky kuvend me ndryshimet kushtetues e ligjore pavarësia garantohet falë legjislacionit. Nuk ka vend inicimi i ndonjë ndryshimi ligjor apo kushtetues në funksion të garantimit të pavarësisë. Korniza kushtetuese na garanton pavarësinë. Prokurorët e SPAK duhet të bëjnë veshët shurdh ndaj çdo sulmi e presioni mediatik e politik se në ndihmë na vjen pavarësia sa kohë që kemi të garantuar këtë pavarësi kushtetuese e ligjore. Nuk duhet të influencohemi nga lufta politike e mediatike për të përmbushur detyrat tona. Marrëdhënia me politikën është institucionale e proceduriale. Nuk kemi asnjë marrëdhënie tjetër tej këtyre kornizave”.