Prokuroria e Durrësit ka konstatuar shkelje flagrante të rregullave të sigurisë teknike në godinat e shembura nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës.
Prokuroria ka siguruar dokumentin se në godinat e dëmtuara që shkaktuan viktima, janë marrë mostra të hekurit dhe të betonit si dhe janë kryer filmime e fotografime të konstruksionit të këtyre ndërtesave. Sipas saj, analizat laboratorike kanë përfunduar duke nxjerrë në pah faktin se betoni i përdorur nga ndërtuesit ka qenë disa herë më i dobët se cilësia e duhur lidhur me rezistencën.
Probleme janë konstatuar edhe me kolonat mbajtëse të godinave, të cilat janë konstatuar se nuk kanë pasur dimensionet dhe sasinë e duhur të hekurit, çka ka sjellë edhe dëmtimin e tyre nga lëkundjet e tërmetit. Konstatimet janë pjesë e rëndësishme e hetimit dhe pritet që tani të zgjerojë numrin e personave nën hetim duke mos përjashtuar edhe arrestime të tjera, përveç 11 shtetasve të vendosur në pranga deri më tani.
Gjithashtu, Prokuroria e Durrësit ka kërkuar studimet e Institutit të Gjeoshkencave për zonën e Durrësit për zonat që janë përcaktuar si me lëkundje dhe sa është zbatuar ky studimin në lejet e ndërtimit që është dhënë për pallatet e dëmtuara. Por burimet thonë se shumica e ndërtimeve që kanë pësuar dëmtime janë të vjetra dhe të amortizuara.
Ndërkohë, ka vijuar marrja në pyetje e zyrtarëve të Bashkisë së Durrësit në lidhje me dokumentacionin dhe procedurat që janë ndjekur nga zyrtarët e këtij institucioni.