Në makinën që u përdor në vrasjen e dy vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali janë gjetur prova, të cilat mund të çojnë grupin hetimor në zbulimin e identiteti të autorëve.
Gjurmët e gishtave,apo të dhëna të tjera nga ku mund të përftohen profile ADN-je, janë dërguar në laboratorin e policisë shkencore nga ku policia e Shkodrës pret informacionin. Gjurmët do të krahasohen me ato të personave me precedentë penalë për të sqaruar nëse ekzekutuesit e vëllezërve Bilali janë të skeduar nga policia.
Makina e autorëve është prova kryesore në këtë hetim pasi ajo nuk u dogj plotësisht, duke lënë jo pak prova aty. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi atentati nuk është përfituar asnjë e dhënë që mund te çojë në identifikimin, apo ndërtimin e një dinamike të saktë të ngjarjes. Edhe dëshmitë e personave të marrë në pyetje nuk i kanë shërbyer hetuesve për të shkuar tek autoret. Ndërsa situata e rëndë kriminale në Shkodër ka detyruar drejtorin e përgjithshëm të policisë të dislokojë në këtë qytet 12 oficerë nga drejtoria e Kukësit dhe ajo Lezhës.
Qëllimi i këtyre lëvizjeve është fuqizimi i strukturave hetimore në policinë e qytetit verior, i cili ne 9 muaj është tronditur nga 9 vrasje mafioze dhe 2 persona të zhdukur.
Lëvizja e këtyre oficereve vjen në një kohë kur në drejtojnë e policisë Shkodër u emërua Niko Brahimaj, i cili zëvendësoi Vehbi Bushatin në këtë detyrë. Pista kryesore që po ndiqet për zbardhjen e ngjarjes është ajo e larjes së hesapeve mes grupeve rivale. Astrit Bilali është babai i ish-kampionit të boksit Asmer Bilalit, i cili u arrestua si pjesë e grupit “Bajri”, shkruan tv Klan.