Aktualitet HETIMET/ Pistoletë e sofistikuar në atentatin ndaj prokurorit Ndoja

HETIMET/ Pistoletë e sofistikuar në atentatin ndaj prokurorit Ndoja

Autorët e atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoja pasditen e 1 nëntorit në mbikalimin e Shkozetit, krahas dy armëve kallashnikov ishin të pajisur edhe me një pistoletë të sofistikuar.

Burime nga policia bëjnë me dije se në laboratorin shkencor është ekzaminuar edhe një pistoletë titan me silenciator e cila u gjet në automjetin braktisur në fshatin Shkafane.

Për hetuesit prania e kësaj arme tregon se autorët kanë qenë të përgatitur ta kryenin atentatin edhe në rrethana të tjera dhe jo në autostradë.

Po sipas burimeve autorët nuk e dogjën dot automjetin e vjedhur pasi nuk iu hap bagazhi ku kishin lënë shishet me benzinë.

Ndërkohë 17 ditë pas ngjarjes ku mbeti i plagosur edhe Aleksandër Laho, si dhe humbi jetën në spital shoferi Andi Maloku, në pranga vijon të jetë vetëm Redjan Rrahja i cili ka mohuar të ketë lidhje me atentatin.

Nga ana tjetër gjatë kësaj kohe prokurorët Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj kanë kaluar në sitë të gjithë dosjet e pronave në gjirin e Lalzit dhe për të verifikuar përfshirjen ose jo, të prokurorit Arian Ndoja.

Ky i fundit së bashku me Aleksandër Lahon i njohur edhe me emrin Pëllumb Muharremi vijojnë të qëndrojnë të shtruar në spitalin e Durrësit.

Gjatë kësaj kohe uniformat blu kanë ushtruar kontrolle në disa qytete të vendit nga ky dyshohet se janë autorët e atentatit por pa sukses.

Ndaj prokurorit Ndoja, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur edhe një hetim administrativ pasi ky i fundit ka dyshime se administron një studio ligjore në Durrës, gjë që bie ndesh me statusin e tij.