Fillimi i javës së ardhshme pritet të jetë deçiziv për fatin e dosjes hetimore ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit.
Grupi i prokurorëve të krimeve të rënda që ka në dorë këtë dosje prej më shumë se 16 muajsh do të mblidhet para të mërkurës së 17 Janarit, ditë kur përfundojnë afatet hetimit.
Hetuesve deri tani u janë dashur të shtyjnë afatet e hetimeve 4 herë për shkak të vonesave të përgjigjeve të mbërritura me letër-porosi nga Italia, Greqia e Mali i Zi si dhe hetimit pasuror që po kryhet.
Por kjo herë pritet të jetë e rëndësishme për hetimin edhe për shkak se dosja e grupit të Habilajve u mbyll nga prokuroria dhe u dërgua për gjykim. Prokuroria e Krimeve të Rënda po e heton ish-ministrin e Brendshëm pikërisht për lidhjet me këtë grup, duke ngritur për të akuzat e korrupsionit dhe trafikut të drogës. Sipas akuzës, Tahiri dyshohet se ka favorizuar grupin e Habilajve në trafikun e kanabisit në kohën kur ishte ministër. Por çuditërisht emri i Saimir Tahirit nuk ishte në listën e 9 personave që u dërguan në gjyq në fillim të kësaj javë, duke veçuar hetimin për të. Por grupi hetimor ka në tavolinë tre opsione se çfarë do të ndodhë me këtë dosje.
I pari është zgjatja e afateve hetimore për shkak se duhet të kryehen edhe disa veprime të tjera. Opsioni i dytë është dërgimi në gjyq i dosjes dhe mundësia e tretë është pushimi i saj për shkak të pamundësisë për të lidhur ish-ministrin me grupin e Habilajve.
Saimir Tahiri për lidhjet me këtë grup u hetua edhe nga autoritetet italiane. Prokuroria e Antimafias së Katanias në 15 Mars të vitit të kaluar i kërkoi gjykatës pushimin e hetimeve ndaj ish-ministrit, pasi nuk gjeti asnjë provë që e lidhte atë me grupin e Habilajve. Kërkesa u miratua nga gjykata dhe ky vendim pushimi është bërë pjesë e dosjes hetimore në Shqipëri, pasi u dorëzua si provë nga vetë Saimir Tahiri, shkruan Tv Klan.