Deputetë, Ministria e Energjisë, ajo e Mjedisit, por edhe përfaqësues të pushtetit vendor kanë refuzuar pjesëmarrjen në konferencën “Rrugëtimi për mbrojtjen e Vjosës dhe sfida për të ardhmen”. Në fokus të saj ishte diskutimi mbi perspektivat për zhvillimin ndryshe në luginën e Vjosës, por asnjë prej vendimmarrësve nuk pranoi të ishte pjesë e diskutimeve.
“Ne kemi ftuar shumë aktorë të rëndësishëm të vendimmarrjes, por asnjë prej tyre nuk pranoi të jetë pjesë e konferencës”,- tha drejtori ekzekutiv i organizatës mjedisore EcoAlbania, Olsi Nika. I vetmi që iu përgjigj kërkesës ishte kryetari i Komisionit parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, Tregëtisë dhe Mjedisit, Besnik Bare, i cili mbajti një fjalë përshëndetëse, por nuk u bë pjesë e diskutimeve për shkak të angazhimeve me fushatën elektorale. Ndërkaq, gjatë aktivitetit fokusi u vu te cenimi i integritetit natyror të lumit të fundit të egër në Evropë, si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve. Aktualisht, Vjosa rrjedh lirshëm në shtratin e saj prej 270 km, i pandërprerë nga ndërhyrjet e njeriut.
“Thuhet se në Vjosë do të ndërtohen 33 diga, por nga informacionet që ne kemi ky numër ka shkuar në 42”,- tha Nika. Pjesë e diskutimit ishte edhe apelimi i çështjes për ndërtimit e hidrocentralit të Poçemit, pas pezullimit të punimeve nga Gjykata Administrative e shkallës së parë si dhe hapja e procedurës së koncesionit për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit. “Kërcënimi i lumit vijon të mbetet i lartë, ndaj kjo konferencë është e rëndësishme për vendosjen e piketave, që do të na ndihmojnë në të ardhmen për mbrojtjen e Vjosës”,-shtoi Nika. Banorët e luginës, që preken nga hirocentrali i Poçemit, thanë se nuk do të lejojnë ndërtimin e tij. “Ne do të vazhdojmë protestat, por edhe rrugën ligjore përmes gjykatës”,-tha Marson Murataj, banor i fshatit Kutë. Ndërkaq, drejtorja ekzekutive e LevizAlbania, e vuri theksin te mosrespektimi i të drejtave të komunitetit, si pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes.
“Ne e kemi mbështetur që nga fillimi nismën për mbrojtjen e lumit Vjosa pasi në gjenezën e kësaj problemtike qëndron mosrespektimi i të drejtave të komunitetit si aktor mjaft i rëndësishëm për forcimin e demokracisë lokale. Nga ana tjetër mjedisi është një ndër prioritetet që ne kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë të mbështesim në vijim”,- tha Kuko. Ndërsa sipas Debora Kern, drejtore e qeverisjes vendore, pranë Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, “në Zvicër, konsultimi me publikun, peticionet dhe referendumet lokale janë praktika mjaft të përdorura që shërbejnë si një komunikimin i drejtëpërdrejtë mes vendimmarrësve dhe komunitetit”.
“Në Shqipëri këto praktika shpeshherë nuk merren në konsideratë. Prandaj ne kemi ofruar dhe ofrojmë mbështetjen tonë per shoqërinë civile që t’i adresojë më shpesh këto problematika në mënyrë që të ndikojnë në forcimin e demokracisë përmes pjesëmarrjes direkte të publikut në vendimmarrje”,- shtoi ajo. Të pranishëm në sallë, specialistë të mjedisit dhanë rekomandimet e tyre, sesi mund të mbrohet e ardhmja e këtij lumi. “Paratë që qeveria shpenzon për ndërtimine HEC-eve mund të shkojnë për nxitjen e përdorimit të energjisë diellore”,-tha Aleko Miho, profesor pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës. “Zgjidhjet alternative për prodhimin e energjisë si dhe angazhimi i ekspertëve hidrologë e gjeologë para dhënies së lejeve për ndërtimin e HEC-eve janë tejet të rëndësishëm”,- tha Klodian Skrame, pedagog pranë Universitetit Politeknik të Tiranës.