Kryesore HISTORI/ Kur Shqipëria planifikohej të bëhej një atdhe për hebrenjtë

HISTORI/ Kur Shqipëria planifikohej të bëhej një atdhe për hebrenjtë

Rrënojat e një sinagoge hebreje në Tiranë

Hebrenjtë në Ballkan kanë patur lidhje të ngushta familjare e tregtare. Ata që banonin në Shqipëri ishin të lidhur ngushtë veçanërisht me ata që jetonin në Korfuz, Janinë, Arta dhe qytetet e tjera greke.

Sipas historianit shqiptar Apostol Kotanit, ata mund të kenë mbërritur në Shqipëri rreth vitit 70 para Krishtit. Ai thekson burimet që përshkruajnë anijet romake të ngarkuara me robër hebrenj që i shpinin drejt Romës. Pasardhësit e robërve mund të kenë ngritur sinagoga në portin e Sarandës në shekullin e pestë para Krishtit. Pak të dhëna ka prej atëherë, deri në 1281 kur një grup i vogël tregëtarësh hebrej që tregëtonin kripë dhe lëkurë dhensh, zunë vend në qytetin e Durrësit, që ishte një pikëlidhje e rëndësishme në rrugën tregëtare Rome-Stamboll.

Në shekullin e 15-të dhe 16-të, 1/3 e qytetarëve të Vlorës ishin hebrenj.

Hebrenjtë kishin ardhur në Vlorë nga Franca, Korfuzi, Spanja dhe Napoli. Ata ishin eksportues të tekstileve, lëkurës si edhe të agrikulturës.

Në shekullin e 17-të, Vlora filloi ta humbiste rëndësinë e saj ndërkohë që po merrte rëndësi Berati. Ndjekësit e Shabbetai Zevi (Mesia falco) u vendosën atje. Ka pak informacion mbi hebrenjtë që nga 1700-ta deri rreth 1860. Një pakicë e tyre u konvertua në islamë ose kristianë. Por në shekullin e 19-të, hebrenjtë erdhën prej disa qyteteve greke, veçanërisht nga Janina dhe u vendosën në Gjirokastër, Delvinë, Vlorë, Berat, Elbasan, Korçë, Shkodër dhe Krujë.

Në 1912, hebrenjtë morën pjesë në luftën për pavarësi. Pas vitit 1928, kur Shqipëria u bë monarki, shumë hebrenj hynë këtu nga Greqia, veçanërisht Janina. Mes tyre ka patur farmacistë, doktorë dhe tregëtarë. Censusi i vitit 1930 flet për 204 hebrenj.

Kur Shqipëria konsiderohej si një atdhe i mundshëm për hebrenjtë

Në 1935, Leo Elton, një gazetar britanik vizitoi Shqipërinë dhe i tha Judah Magnes,- presidenti i parë i universitetit hebre të Jeruzalemit, se ‘Shqipëria ishte vendmbrojtje ideale për hebrenjtë dhe eventualisht mund të bëhej atdhe i tyre’.

Në atë kohë projektohej që Shqipëria të luante rolin e një atdheu rezervë për hebrenjtë e rrezikuar. Si hap të parë Leo Elton rekomandon ngritjen e një etniteti kombëtar hebre në Shqipëri, të ngjashëm me atë të “Mandatory Palestine” (të Palestinës së Mandatuar, protektorat britanik, ose, siç u njoh më vonë, të Autoritetit të Palestinës), duke pasur bashkëpunimin e lëvizjeve sioniste. Më pas Shqipëria mund të konsiderohej “një atdhe për të shpërngulurit me kombësi hebraike” (“Haaretz”, 25 June 2009).

Leo Elton, udhëtoi në Shqipëri, ku mbeti i habitur nga toleranca ndërfetare dhe sidomos mungesa e ndjenjave antisemitike mes shqiptarëve.

“Në Shqipëri, kur vjen puna te feja, nuk njihet mungesa e tolerancës… Myslimanët shqiptarë nuk janë fanatikë…”, – shkruante Eltoni në letrën e tij.

Ai shton, gjithashtu, se, ndryshe nga pjesa tjetër e Europës, Shqipëria nuk kishte pasur në historinë e saj episode të diskriminimit të hebrenjve.

“Nuk ka asnjë arsye që të dyshohet se hebrenjtë e shpërngulur nuk do të jetojnë në harmoni të plotë me këtë popullsi kaq të larmishme”, – shkruante ai.

Sipas Elton, Shqipëria kishte vetëm një milion vetë, por toka ishte kaq pjellore sa, nëse do të përdorej bujqësia moderne, aty mund të jetonin fare mirë pesë milionë vetë.

***

Pas ardhjes në pushtet të Hitlerit hebrenjtë nga Gjermania, Austria, Çekosllovakia dhe Polonia u derdhën në Shqipëri. Këtu ata gjetën strehën shpëtimtare. Italia pushtoi Shqipërinë në 7 prill 1939 dhe pastaj sulmoi Jugosllavinë duke aneksuar pjesë të mëdha të Kosovës përfshirë dhe Prishtinën. Në 1942 hebrenjtë nga Prishtina lëvizën në Berat, disa shkuan në Shkodër, Tiranë dhe Elbasan. Të tjerë u bashkuan me partizanët.

Kur Shqipëria u pushtua nga gjermanët në verë të 1943, situata për hebrenjtë u keqësua.

Shumë prej tyre u fshehën nga banorët e vendit. Në pranverën e viti 1944 kërkesa e gjermanëve për dorëzimin e listës së hebrenjëve, u refuzua.

Pas luftës, në Shqipëri kishte rreth 180 hebrenj.

Disa u larguan nga vendi në fund të viteve 1980, dhe të tjerë në 1991 kur u hapën kufijtë e shkuan në Izrael.

Në janar 2011, 69 shqiptarë u nderuan si “Righteous Gentiles” nga Yad Vashen në Jerusalem.