Përpara se të trajtoj çështjen, desha të falenderoj, z. Edmond Ismailatin. Gjithashtu një mirënjohje e thellë i shkon edhe Bashkisë së Memaliaj dhe bashkëqytetares time, Elsa Saka drejtoreshë e Arkivës Shtetërore, ku pa ndihmesën e tyre, nuk do mund të kisha nxjerrë materialet me vlerë, që më janë dashur për qytetin tim..
Arsyeja e këtij studimi, lidhet me vendlindjen time dhe me pasionin tim për të promovuar vlerat e qytetit Memaliaj, pasi të afërmit e mi, gjyshi, Arshi Hysa ka kontribuar në themelimin e qytetit të Memaliajt me punë vullnetare, gjithashtu babai im dhe xhaxhallarët e mi, kanë punuar edhe në minierën e qymyrgurit. Kjo është një arsye më shumë për të promovuar vlerat dhe atraksionet turistike të këtij qyteti, e cila brenda gjeografisë urbane, quhet qytet monofunksional ose monostrukturore.
Jo vetëm Memaliaj, por edhe qytete të tjera të së njëjtës tipologji, të formuara në kohën e regjimit komunist, duhet të përshtaten me realitetin e ri ekonomik për të promovuar vlerat e tyre pikëpamja e shfrytëzimit turistik, të cilat aktualisht janë në “listën e pritjes”.
Shqipëria është një vend që ka shumë burime minerale. Këto burime kishin një rëndësi të madhe në minierat dhe shfrytëzimin e energjisë gjatë periudhës komuniste. Në atë kohë, përpunimi i mineraleve ka qenë një bazë solide për sektorin ekonomik të vendit që ndoqi politikën e vetë-mjaftueshmërisë. Përveç rritjes ekonomike, kjo solli edhe krijimin e qyteteve të reja monofunksionale apo strukturore si Memaliaj, Rubiku, Bulqiza, …etj. Objekti i studimit është shfrytëzimi turistik i një prej këtyre qyteteve minatore të periudhës komuniste, të cilat pas vitit 1990 u braktisën për shkak të keqmenaxhimit të minierave, çka solli edhe mbylljen e minierave apo fabrikave të përpunimit dhe për pasojë humbi dhe ëndësia e këtyre qyteteve të përmendura më sipër, duke çuar ne emigrimin e popullsisë së këtyre qyteteve, një pjesë e të cilave u braktis plotësisht, e të tjera ende kërkojnë rrugëdalje për t’u përshtatur me realitetin e ri shqiptar.
Zhvillimi i turizmit postsocialist në Memaliaj
Pozicioni i favorshëm gjeografik nga pikëpamja e shfrytëzimit turistik në Memaliaj.
Memaliaj është një bashki në Qarkun e Gjirokastrës, në jug të Shqipërisë.
Klima është tipike mesdhetare, me dimer të bute dhe te lagesht e vere te nxehte dhe shume te thate. Siperfaqqa totale eshte prej 372.07 km².
Bashkia u formua në reformën territoriale të vitit 2015 duke bashkuar ish-bashkitë Buz, Krahës, Luftinjë, Memaliaj, Memaliaj Fshat dhe Qesarat, të cilat u bënë njësi administrative. Popullsia e përgjithshme e komunës është 10,657 banorë (regjistrimi i vitit 2011), në një sipërfaqe totale prej 372.07 km².
Memaliaj dallohet gjithashtu per ndertim gjeologjik te thjeshte dhe reliev te rregullt, per klimen, hidrografine dhe bimesine mesdhetare. Aty gjenden pasuri te shumta si qymyrguri, fosforite, nafte si dhe pasurit e shumta ujore. Ai gjithashtu dallohet per peizazhet panoramike, vlera historike dhe kulturore. Pozicioni gjeografik është në kushte të favorshme sepse aty kryqëzohen autostradat që kalojnë nga Fieri dhe Mallakastra per në jug ose jugperëndim të Shqipërisë, duke shërbyer edhe si portë lidhëse për të hyrë në Greqi. Qyteti është i përqendruar përgjatë lumit Vjosa dhe duket si një gadishull i vogël ose, siç krahasohet, “Parisi i vogël”. Lumi jo vetëm që ndihmon në pastrimin e ajrit të ndotur të qytetit për shkak të minieres, por është gjithashtu një nga burimet më të mëdha natyrore ku mund të shijohet turizmi ujor, si Rafting ose Zbritja në lumenj, Kanone ose turizëm aventure.
Territori i Memaliaj, përveç se ka pasuri të mjaftueshme natyrore, ka dhe peisazhe gjeografike të shumellojshme, vlera historike dhe kulturore, të cilat do t’i shikojme në vijim. Pra përveç vizites nga turiste të ndryshem, pozita gjeografike nxit edhe pritjen e vizitoreve te rastesishem vendas ose te huaj.
Pasuritë e lumit Vjosë
Siç u permend me sipër, Qyteti i Memaliaj rrethohet nga lumi Vjose duke i ngjare një gadishulli të vogël. Vjosa është për nga gjatësia dhe rëndësia, lumi i dytë më i rëndësishëm në Shqipëri pas Drinit. Ajo buron në malet e Pindit në Greqi ku njihet me emrin Aoós. Prej andej, lumi rrjedh përgjatë 80 kilometrave, deri sa hyn në Shqipëri në zonën e Çarshovës ku më pas njihet me emrin Vjosa. Rrjedha e Vjosës në Shqipëri është 192 kilometra dhe përfundon në Detin Adriatik, në veri të lagunës së Nartës, një nga lagunat më të mëdha dhe më të pasura ekologjikisht të Shqipërisë, mbi të cilën nuk është vendosur dora e njeriut dhe si e tillë e caktuar si Peizazh i Mbrojtur. Lumi karakterizohet nga kanione të bukura, përrenj të furishëm, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme.
Vjosa dhe lugina e saj janë një mozaik i madh habitatesh të ndryshme; një vend frymëzimi dhe burim jete për natyrën dhe kulturën. Gjithashtu, shumë vajza në Shqipëri kanë emrin e lumit. Lumi është një vend ku të rinjtë shkojnë për të notuar në verë, te huajt vijnë për ta admiruar, për të bërë kajak apo për të bërë kërkime shkencore. Prandaj është një burim dhe potencial i madh për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit që mund të kontribuojë në ekonominë e vendit. Vjosa është gjithashtu një nga mundësitë e rralla për shkencëtarët evropianë për të vëzhguar se si funksionojnë lumenjtë natyrorë. Është një pikë referimi për biodiversitetin. Vjosa është shtëpia e disa llojeve të peshqve endemikë të Ballkanit. Në rajonin e Vjosës ka 150 lloje bimësh dhe kafshësh të njohura nga Konventa e Bernës, një marrëveshje që synon të ruajë kafshët e egra dhe habitatet natyrore evropiane. Është një mozaik habitatesh. Deri më tani janë identifikuar disa lloje habitatesh me rëndësi evropiane. Megjithatë, pavarësisht vlerave dhe rëndësisë së spikatur, jo vetëm në nivel lokal, por edhe global, Vjosa mbetet e pambrojtur.
Lufta për Drejtësi/ Hidrocentrali ne Kalivaç
Historia e ndërtimit të digave në Vjosë filloi në Greqi në vitin 1984. Menjëherë pas kësaj u projektua projekti i parë i hidrocentralit për Shqipërinë. Diga e Kalivaçit filloi punimet për herë të parë në vitin 1997, por u ndalua deri në vitin 2007. Në vitin 2007 filloi ndërtimi i Digës së Kalivaçit. Fillimisht u financua nga kompania italiane Becchetti dhe Deutsche Bank. Diga ishte planifikuar të arrinte lartësinë 45 m, duke shkaktuar që disa pjesë të luginës të përmbyten dhe disa pjesë të thahen.
Fatmirësisht, aktivistë vendas dhe ndërkombëtarë, të famshëm nga e gjithë bota, organizata kombëtare dhe ndërkombëtare e njohën humbjen që do të shkaktonte ndërtimi i digës dhe përmes protestave, peticioneve dhe veprimeve ligjore arritën të ndalonin ndërtimin e digës në vitin 2010. Më pak se 30 % e punës së përgjithshme kishte përfunduar kur projekti i Digës së Kalivaçit u ndërpre.
Mënyra e vetme për të mbrojtur Vjosën përgjithmonë është shpallja e saj Park Kombëtar. Nëse Vjosa dhe lugina e saj do të bëhen parku i parë kombëtar i lumit të egër në Evropë, kjo jo vetëm që do të nënkuptojë një fitore për Shqipërinë dhe Evropën, por do të jetë një kontribut në një Përpjekje Globale të Konservimit. Prandaj, OJQ-të ndërkombëtare Riverwatch dhe EuroNatur në bashkëpunim me organizata të ndryshme partnere vendase si EcoAlbania dhe Patagonia Company kanë nisur fushatën “Save the Blue Heart of Europe”. Me synimin për të mbrojtur lumenjtë me potencial të madh natyror që gjenden në Evropën Juglindore, nga shkatërrimi nëpërmjet zhvillimit të pakontrolluar të projekteve hidroelektrike.
Zbulimet e para të qymyrit. Ndërtimi i minierës
Miniera e Memaliaj u krijua si ndermarje me vete, me vendim të Keshillit të Ministrave Nr.34 ne 15 Korrik 1949 pasi deri ateher ishte sektor në vartesi të minierave të Kerrabes. Këtu ze fill rritja e minieres. Nëse në vitin 1949-ë u nxorën vetëm 3389 ton qymyre, një vit më vonë , u nxorën 12023 ton qymyrë. Një ndihmes të veçantë pati dhe përdorimi i teknikave të reja, si nxjerja me llavë dhe kjo metode e dyfishoi nxjerrjen e qymyrit. Kjo u shoqërua edhe me rritjen e punës, rritjen e të ardhurave si dhe me zhvillimin e qytetit.
Në vitin 1951-ë, u hodhën themelet e qytetit Memaliaj. Çadrat dhe barakat buzë galerive u zhvendosen me ndertesa të godinave 1 ose 2 kateshe. Karakteristik ishte fakti se këto ndertesa ishin totalisht prej guri. Bashke me minieren u rrit edhe klasa punetore. Në vitin 1946-ë, ishin 82 punëtor, ndërsa në vitin 1949-ë që u krijua ndërmarrja , ishin 100 punëtor dhe në fund të viteve 80’ ishin 2800 punetor. Vlen të theksohet tradita që u bë kalimi i profesionit nga babai tek i biri, gjë që bëri të mundur krijimin e brezave të minatorëve.
Miniera e qymyrgurit pas viteve 65’ tejkaloi 100.000 ton në vit, për këtë arsye mbajti peshen më të madhe të prodhimit net në rrethin e Tepelenës. Pas vitit 1990, me kalimin e sistemit postsocialist, u ul edhe prodhimi i qymyrgurit derisa miniera u mbyll përfundimisht sepse dilte përherë e më shumë me humbje.
Mbyllja e minierës solli dhe shkatërrimin ekonomik të qytetit, duke qenë se miniera ishte burimi kryesor i të ardhurave për familjet e qytetit. Tashmë numërohen 218 invalide të minierës. Pensioni i invaliditetit është e vetmja e ardhur për ata. Minatorët e dikurshëm i kanë të pashlyeshëm nga kujtesa ditët e tyre nga jeta në minierë. Për punëtorët e nëntokës kishte vetëm një urim “Dalsh mirë” ndërsa ata ndaheshin njëri me tjetrin; ndërsa familjarët i prisnin me frik derisa ata të ktheheshin shëndosh e mirë. Punimet për ndërtimin e minierës dhe hapja e puseve, ka shkaktuar në total 50 viktima deri në 50 vjeç. “Dëshmorët e minierës, vetëm ata, janë kryeheronjtë tanë të paharruar; janë dhimbja dhe krenaria që do të mbeten përjetësisht lavdiplotë në panteonin e kësaj kohe të madhe”,-thotë Resmi Hoxha në librin, Koha e Minieres”.
Për të ditur më tepër, nuk mund të qëndroja pa pyetur edhe të afërmit e mi që kanë punuar në minierë. Pasi kontaktova xhaxhain tim Qemal Hysa, i kërkova të më tregonte për punën e tij dhe të tim ati (ndjes past) pasi e vetmja gjë që kujtoj nga fëmijëria ime, ishin ato çizmet tipike prej gome, në ngjyrë jeshile që i vishte çdo minator ashtu si edhe im atë. Filloi të më tregonte për minierën në përgjithësi, sesi në fillim u hap sektori i parë, përtej Vjosës në Karaule dhe me vonë u hapën sektorët e tjerë. “Gjatë kohës së komunizmit dita jonë e punës për ne që ishim kategoria e dytë nëntok varionte diku te 235 lekë/dita. Babi yt i ndjerë ishte në repartin e jashtëm. Punonte të kaldaja ku ndizte zjarr që të ngrohej uji dhe të laheshin punëtorët, ndërsa unë isha në nëntok, vagonist ashtu si edhe xhaxhai tjetër i juaj, Agroni i cili u aksidentua në minierë tek po zgjidhte vagonat dhe i erdhi vagoni tjetër që e goditi. Dy javë ka qëndruar në gjendje kome.” – E pyeta nëse në këto raste u jepej dëmshpërblim apo si funkiononte me të aksidentuarit gjatë punës dhe përgjigja ishte që nuk kishte asnjë kompensim për këto raste pasi flitej për vitin 1985-ë, ku demokracia nuk kishte ardhur akoma dhe ligjet funkiononin ndryshe në atë kohë.
Gjithsesi për raste semundjesh, raportet njiheshin gjatë atij sistemi dhe një shembull po e demostrojë më poshtë, marrë nga Arkiva e Shtetit:
Transformimi i Memaliaj në qytet monofunkional
Qyteti Memaliaj është krijuar më 1946-n si qendër industriale për prodhimin dhe shfrytëzimin e mineralit qymyrgur. Është një nga qytetet mono funksionale që u krijua gjatë periudhës komuniste përtej për të ofruar strehim për punëtorët e minierës, të cilët u kthyen në banorë të parë të saj. Disa breza i kanë përjetuar hedhjet e hapave të para të themeleve të disa shtepive, godinave dhe rrugëve deri në zgjerim të qytetit dhe asfaltimin e rrugëve. E gjitha kjo nisi me aksione vullnetare, të cilët ndihmuan në përshpejtimin e mbarimit sa më shpejt të këtyre ndërtimeve. Memaliaj nga një vend me shkurre dhe ferra, i’u dha forma e një qytetit. Më pas, si rezultat i punës në minierë, me vendim të qeverisë, Memaliaj mori pamjen e mirëfilltë të një qyteti.
Ne 11/03/1955 Keshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, mbasi studioi proçes-verbalin mbi minierën e Memaliajt në prani të Kryeministrit për përmirësimin e punës në kantierin e ndërtimit.
VENDOSI:
1) Të vazhdojë ndërtimi i banesave familjare dhe i godinave të tjera, aty ku sot është ngritur qyteti i Memaliaj.
2) Ministria e Industrisë dhe e Minierave në bashkëpunim me Ministrin e Ndërtimit dhe të Telekomunikacionit, të marrë masa për ndërtimin e banesave një ose dy katëshe, dhe më shumë apartamente si ato që janë ndërtuar në Cërrik, në Kombinatin e Tekstilit “Stalin”, ….etj.
3) Ministria e Ndërtimit dhe të Telekomunikacionit të paraqesë dy variantet e ujësjellësit, Bençë-Memaliaj dhe Dukaj-Memaliaj.
4) Ndërmarrja “Perlat Rexhepi” brenda datës 01 qershor 1955, të përfundojë rrugën automobilistike, Vjosë-Luftinjë e dhe të jetë 4 m e gjerë.
5) Ministria e Ndërtimit dhe të Telekomunikacionit për nevojat e ndërtimin e menjëhershëm të japë menjëherë dy traktora.
6) Ministria e Ndërtimit dhe të Telekomunikacionit, të studiojë dhe te marrë masa për ndërtimin e një trapi, mbi Vjosë me lundra hekuri, për kalimin e punëtorëve, materialeve dhe të tjera.
7) Ndërmarrja “Perlat Rexhepi”, të marrë masa për ndërtimin e një sheshi të shtruar me kalldrëm në bregun e Vjosës pranë Galerisë nr 1.
Ky vendim hyn ne fuqi menjëherë
KRYETARI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE
(Mehmet Shehu)
Përveç këtyre, u hodh edhe ideja e ndërtimit të një lundre të madhe, duke bashkuar tre të tilla së bashku, që të mbante automjete të tonazhit të madh si kamiona dhe autobuza, që siguria të ishte maksimale. Materialet e saj, duhet të ishin të gjitha të hekurta. Gjithashtu u përfol edhe për hekurudhën Vlorë-Memaliaj, e cila do studiohej nga grua sovjetike të ardhur në Shqipëri, por të dyja këto vendime, si për lundrën dhe për hekurudhën, ishin plane që nuk mund të konkretizoheshin.
Pra, nga sa u kuptua më sipër, Memaliaj u formua si një qytet monofunksional, nga industria e minierës së qymyrgurit dhe kulmin e saj e arriti gjatë periudhës komuniste. Sot miniera shërben si atraksion historik duke reflektuar një periudhë të rëndësishme të qytetit Memaliaj, i cili lindi për shkak të kësaj miniere.
Koha pre dhe post socialiste: Para dhe pas viteve 90
Në vitet e para të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit e huaj nazifashistë, nisi puna në minierë. Gjithsej bëheshin, a nuk bëheshin 20 vetë. Ja, kaq njerëz kishte më 1947. Jetonin të gjithë në një barakë përtej Vjosës. Ushqimin e merrnin nga shtëpitë e tyre dhe secili gatuante për llogari të tij. Në mëngjes ngriheshin e shkonim në punë. Rruga e zhvillimit të planifikuar filloi në 1951-ë. Atë vit u hodhën edhe themelet e qytetit Memaliaj.
Aty nga fillimi i viteve ‘50 nisën të ngriheshin blloqet e para të ndërtesave të qytetit. U strehuan në to familjet e para, u ngritën shkollat, kopshtet, çerdhet e para dhe me shpejtësi qyteti nisi të merrte formën e plotë. U hapën dyqanet e mapot, u ndërtuan kino-klubi, mensat, fjetoret e punëtorëve, lulishtet, parqet, rrugët dhe jeta e njerëzve të këtij qyteti, nga dita në ditë bëhej më e gjerë; më e bukur; më e pasur e më e gëzueshme. Nga dita në ditë rriteshin ndërgjegjja dhe botëkuptimi i minatorëve.
Memaliaj ishte një nga qytetet ku gjelbërimi dhe lulet shpërthenin gjithandej. Qyteti ishte i shëndetshëm dhe i pastër. Me kalimin e viteve, miniera e Memaliajt u shndërrua në një qendër të rëndësishme industriale, jo vetëm për rrethin e Tepelenës, por edhe për të gjithë vendin. Ajo nxirrte 40% të sasisë së qymyrit në shkallë vendi. Kjo minierë furnizonte me qymyrguri, 24 rrethe të vendit.
Një rëndësi të veçantë në plotësimin më të mirë të nevojave të ekonomisë me qymyrguri dhe rritjes së efektivitetit të prodhimit, ka dhënë vënia në shfrytëzim në vitin 1971 të fabrikës së pasurimit të qymyrgurit. Në këtë mënyrë u krijuan mundësitë për përdorimin më racional të qymyrgurit nga ekonomia. Qymyrguri i kësaj miniere, në krahasim me fushat qymyrgurore të Ballkanit, ka pasur fuqi kalorifike relativisht të lartë, por me përmbajtje squfuri mbi normat ndërkombëtare, rreth 3% nga nën 1% e lejuar.
Pas vitit 1990, me ndryshimin e sistemit shoqëror, filloi të ulet gradualisht deri sa miniera u mbyll për arsye se dilte me humbje. Ora duket sikur ka mbetur larg në një të shkuar të pluhurosur nga harresa, me një realitet të ngrirë mes vështirësive, pa mbështetje, pa vëmendje, veç fjalëve që kanë pak ose aspak vlerë.
Me vdekjen e minierës së qymyrgurit, Memaliaj ra në agoni të plotë, një agoni që mban ngërthyer të gjithë banorët e saj, çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë në këtë qytet me shpirt të madh e me frymëmarrje të vogël. Ngjyra e përhimët valëzon përmbi kryet e qytetit që duket hera-herës i braktisur, e hera-herës si një fotografi e vjetër e dalë nga arkivat.
Pallate të rrjepur keqazi, dritare të mbyllura ku vështirë të dallohet mes arnash diçka e ndërtuar së fundmi. Gjithçka duket e heshtur, e zymtë ashtu si fytyrat e banorëve që lëkunden mes halleve të pafundme.
I ngritur paralel me minierën, Memaliaj u zhduk nga harta e investimeve shtetërore që me mbylljen e saj. Askush nuk u kujtua më pas, në 23 vjet të përshkuar mes hapash të njëjtë e të lodhur. Papunësia e pleksur me kthimin e shumë emigrantëve nga Greqia ka thelluar më tej mes banorëve, krizën ekonomike e sociale. Mundësitë janë thuajse inekzistente dhe e ndjekin në një kalvar të mundimshëm, një më një të gjithë të rinjtë në qytet. Shumicës së të kthyerve, duket sikur tashmë i ka mbetur vetëm të shikojnë nga qielli, pasi gjithçka tjetër ngjason e fundosur me harresën që rrethon Memaliajn. Borxhe mbi borxhe që zgjatohen kudo si zinxhirë duke marrë frymë familjesh memaliote me pak mundësi për të shtyrë jetën çdo ditë.
Qyteti është mbytur nga invalidët që kanë lënë pas galeritë e qymyrgurit e që sipas shifrave zyrtare janë plot 218 ndërkohë 311 familje në qytet jetojnë vetëm falë ndihmës ekonomike si thërrime mbi të cilat duhet të ngrenë mbijetesën.
Në Memaliaj, çdo rrugicë, çdo pallat, çdo banesë, çdo kthinë e harruar fsheh pas dhimbjen e saj. Ashtu si në njërin prej kopshteve të mbyllur të qytetit ku drejtuesit lokalë kanë mundur t’i japin strehë një familjeje që ndan me varfërinë përditshmërinë e saj.. Varfëri, pamundësi, e ardhme e bllokuar nga braktisja, në një oaz të lënë mënjanë. Ky është sot Memaliaj, qyteti i përhumbur ku po rreshtin frymëmarrjet.
Mijëra punëtorë të minierave vërshuan në emigrim, ndërsa pjesa tjetër e banorëve të mbetur tashmë janë në varfëri. Sot qyteti numëron vetëm 1200 familje, pjesa dërmuese e të cilave jeton me ndihmën sociale që merret nga bashkia. Në mungesë të bizneseve fason apo ndërmarrjeve të tjera, banorët sot janë më mjerim, ndërsa mbijetesa janë “listat” për të siguruar bukën e gojës.
Në këtë kaos të varfërisë së njerëzve, janë edhe institucionet, të cilat përballen me mbijetesën. Bashkia, psh, nuk ofron asnjë shërbim për qytetarët, kjo për shkak të mungesës së të ardhurave në këtë qytet. Deri më sot familjet e dikurshme të minatorëve kanë mbijetuar falë emigrimit, por sot pas krizës ekonomike kryesisht në Greqi, familjet janë rrënuar dhe pjesa më e madhe kanë nisur kthimin drejt vendlindjes. Jeta për këtë të fundit është edhe më e vështirë, pasi vijnë pa asnjë mundësi punësimi, ekonomike e të ardhura. Prandaj arsyeja e këtij studimi është të bëhet një analizë e gjendjes aktuale si edhe të ngrihen hipoteza se çfarë mund të bëhet që ky qytet të rimëkëmbet sërish.
Ndryshimet në ekonomi dhe popullsi
Ky qytet, sipas statistikave të gjëndjes civile, thënë nga znj. Arlinda Gashi, punonjëse e kësaj zyre, ka gjetur një rregjistër me 7649 banorë, sqaron Arlinda Gashi, nga të cilët vetëm 6839 ka arritur në regjistrimin elektronik, t.Nga 6839 të rregjistruar janë 3523 meshkuj dhe 3316 femra. Në qoftë se flasim për shifrën egzistente apo se sa banojnë në faktë në këtë qytet, atëherë kjo shifër bie nga gjysma! D.m.th. rreth 50-60% e këtij numuri sot ndodhen të larguar në emigracion. Shumica e këtyre jan të larguar familjarishtë!
Po të bëjmë krahasimin me shifra dhe përqindje,atëherë i bije që 1/3 të jetë e pa strehë, 300 familje të deklaruar dhe 252 familje marrin rregullisht ndihmën ekonomike, sociale të akorduar nga shteti. Këto janë shifra që na i jep znj. Leonora Qesko, në bazë të statistikave. Ndihma ekonomike në këtë rast është 2600-3000 lekë dhe 6000 lekë për invalidët. Është një ndihmë tepër modeste, e cila nuk mjafton as për të shlyer detyrimet kryesore por megjithatë qytetarët e kanë të nevojshme.
Problem tjetër mbetet strehimi i të pastrehëve,problem ky që varet nga qarku i Gjirokastrës dhe që janë 300 familje, të cilat presin ndihmën e shtetit për të vazhduar jetën normale ku të kenë të paktën një strehë për të futur kokën. Në qoftë se fkasim për përparim a ngritje të nivelit të jetesës,as që bëhet fjalë për këtë qytet të vogël tani për tani. Kur nuk kemi investime, private apo shtetërore, patjetër që popullsia do zhytet në varfëri. Disa aktivitete private që lulëzuan gjatë këtyre viteve të demokracisë dalëndadalë po mbyllen duke mos i rezistuar ngritjes së çmimeve dhe shkatërrimit të infrastrukturës.
Në qoftë se shteti nuk do të mendojë për hapjen e fronteve të punës, siç është rasti i ndërtimit të hidrocentralit të Kalivaçit, i cili ka thithur mjaftë fuqi puntore, si nga zona përreth por edhe nga qytetet Memaliaj dhe Tepelenë.
Arsyeja pse duhet vizituar qyteti Memaliaj
Nëse mendoni të vizitoni jugun e Shqipërisë, një prej ndalesave duhet të jetë edhe Memaliaj. Memaliaj ka shumë për të ofruar, ka trashëgimi natyrore, historike dhe kulturore të larmishme. Kryeqendra e Bashkisë Memaliaj është qyteti Memaliajt, një qytet i vogël i cili e filloi jetën dhe veprimtarinë e tij në 1947-1948, me gjurmimet dhe kërkimet gjeologjike për qymyrgur.
Lumi Vjosë është simbol i Memaliaj, një nga arsyet e qëndrimit të shumë turistëve për shkak të veçorive të tij si lumi i fundit i egër i Europës ose njohur ndryshe si “Zemra Blu”. Rrethon nga tre anë qytetin Memaliaj, duke krijuar imazhin e një gadishulli të vogël. Gjithashtu Turizmi industrial dhe ture komuniste, janë zgjedhje për shumë turistë të cilët duan të mësojnë më shumë mbi gjurmët që ka lënë komunizmi në Shqipëri. Qyteti ka ende ndërtesat tipike të periudhës së komunizmit. Ture në minierat e vjetra janë gjithashtu interesante. Gjithashtu mund të vizitoni lumin e Vjosës dhe fshatrat përrreth si: Luftinjë, Buz, Progonat dhe Krahës.
Monumentet kulturore të qytetit Memaliaj
Pallati me i madh i Kulturës në jug është ai i qytetit Memaliaj. Qysh herët në skenën e këtij pallati, ka luajtur dhe është themeluar Estrada amatore e qytetit Memaliaj, ku shumë prej pjesëtarve të saj kanë patur fatin të bëjnë karriere fal vullnetit dhe talentit të tyre. Si pjesëtar të saj do të përmendja: Mehdi Malkaj, Irakli Laska, Rakip Zhupa, Agron Llakaj etj, dhe po këtu në këtë Estrad ka hedhur hapat e para të karrierës aktori, që tashmë është profesor në Akademinë e Arteve të bukura, Birçe Hasko.
Ky pallat është i pajisur me shumë ambiente kulturore, skena teatrore të pajisura me dysheme rrotulluese, kinema ku nuk ka munguar dhe dhoma e maskave, biblioteka, librat e së cilës s’kishin të numëruar.
Lëvizja artistike amatore e qytetit Memaliaj, ka qenë e begatë dhe e pashtershme për gjysëm shekulli. Zhanri me i preferuar ka qenë humori, që u kultivua nga grupi amator i Estradës së klubit të kulturës. Shfaqjen e parë e dhanë në vitin 1958, me drejtues Spiro Taçin dhe nga kjo kohë ajo pati një jetë të pandërprerë artistike, duke u bërë burim çlodhjeje për punëtorët e nëntokës.
Grupi jepte shfaqje në rrethe dhe në shumë qendra industriale si Ballsh, Patos, Selenic, Kuçovë, …etj. Një moment kulmor, është Festivali i Estradës Amatore i vitit 1984 të klasës punëtore, të rretheve jugore, ku morën pjesë Vlora, Gjirokastra, Korça, Tepelena… etj. Edhe në këtë festival, grupi i Estradës Memaliaj u nderua me çmimin e parë.
Të gjithë protagonistët e Estradës kishin një karakter të veçantë dhe një natyrë origjinale të gërshetuar me satirën dhe humorin e Memaliajt. Ajo që i bashkonte këto breza, ishte dashuria për humorin, respekti për qytetarët dhe përgjegjësia e lartë e qytetarëve për të realizuar gjëra të veçanta. Estrada Memaliaj ishte më e suksesshmja në jug të vendit.
Përveç kontributit që kanë dhënë talentet e qytetit për pjesën kulturore, nuk mund të lëmë pa përmendur futbollistin e ekipit të futbollit “Minatori”, Foto Shtrakoshen, talenti i të cilit tërhoqi vëmendjen e ekipeve të futbollit të kategorisë së parë. Ai ka luajtur si portier, plotë 73 ndeshje, duke shënuar një rekord në historinë e përfaqësueses shqiptare! Për Strakoshën, Gazeta “Labëria” ( 30 . Gusht. 2001) kishte botuar një artikull të gjatë. Veç të tjerash , ata i kushtonin një vjershë:
“Për ju këndon Shqipëria,
Kush e mbron sot portën tonë,
Foto Strakosha shqiponjë,
Bir i djepit të Lirisë, Himarës së Shqipërisë,
Fotot me të trembëdhjetë,
Për ju këndojnë Bilbilenjtë …
Me një përmbledhje të shkurtër, gjatë periudhesë komuniste, qyteti Memaliaj ka patur një lulëzim të madhe në të gjitha fushat, e kush nuk do ndihej krenar që ishte Memaljot?
Ndërsa tani…
Gjatë viteve të tranzicionit, si kudo lëvizja kulturore artistike ra në një gjendje kllapie. Tempulli i artit dhe i kulturës, skena është katandisur si mos më keq. Kohet janë të tjera. Ekonomia e tregut ka ligje të tjera, por ajo nuk mohon lëvizjen amatore.Drejtuesit e bashkisë janë të vendosur që ta ringrejn kulturën. Gjatë vitit 1999, u dhanë 40 milion lekë të vjetra, nga buxheti i shtetit por ishin shumë pak për ta kthyer në gjendjen e mëparshme këtë institucion.
Gjithsesi përpjekjet për ta rikthyer në jetë kineman, nuk rreshtën asnjëherë derisa u desh të bëhej restaurimi i saj prej një buxheti të miratuar me 140 milion lekë të vjetra dhe ky projekt u përfundua në 2021.
Sipas ministres së turizmit, Mirela Kumbaro “kinoteatri i Memaliajt është nga ato ndërtesat tipike të periudhës komuniste që u ndërtuan në qendrat e qyteteve për t’iu dedikuar jetës kulturore urbane qoftë edhe nën diktatin ideologjik. Diktati ra, por për fat të keq ra edhe jeta kulturore që zhvillohej rreth tyre me rënie e strukturave administrative. Në këto 30 vjet ndërtesat u braktisën, u harruan, u amortizuan, u tjetërsuan…për të ardhur keq. Programi i madh i Rilindjes Urbane ka rehabilituar, ka rindërtuar e rikonceptuar qendrat e qyteteve të vogla, duke u dhënë atyre një rol estetik, ekonomik dhe psikologjik.
STATUJA E MINATORIT MEMALIAJ
Statuja e Minatorit Memaliaj gjendet në sheshin “Minatori” në qendër të qytetit Memaliaj.
Sot gjendet statuja e re e “Minatorit” e cila u vendos në kuadër të rikualifikimit në vitin 2016 të sheshit “Minatori” si pjesë e projektit të rilindjes urbane, si shpërblimin e denjë për jetët e humbura në thellësitë e nëntokës dhe vlerësimin për ata mijëra minatorë që çdoherë futeshin në galeritë e nëndheshme me frikën se mund të mos dilnin më prej andej.
Dikur statuja e “Minatorit” vepër e skulptorit Muharrem Turkeshi, trajtonte figurën e një minatori vendosur përball ish klubit të punëtorëve në Memaliaj.
Gjatë trazirave të vitit 1997, statuja u shkatërrua duke lënë për shumë vjet qytetin pa figurën simbolizuese. Muharrem Turkeshi – Statuja origjinale e minatorit ne Sheshin e Minatorit në qytetin Memaliaj, u vendos në 25 vjetorin e Çlirimit të Atdheut. Botuar në gazetën Drita, 28 shtator 1969.
Gjithsesi, vlen të theksohet fakti se kjo statujë sot nuk i afrohet qëllimit që simbolizonte, duke tjetërsuar dhe vendosur në pozicionin e gabuar.
Qendra e qytetit
Nga një qendër me gjelbërimit u shndërrua me një qendër të bunkerizuar
Për këtë projekt janë investuar 1 milion dollarë, dhe ato mund te ishin investuar për emergjenca të tjera, si papunësia, restaurimi i brendshëm i shkollës dhe i spitalit për ta kthyer në funksion të plotë. Nëse me këto fonde do të hapej një fidanishte, jo vetëm që do të punësoheshin, por edhe kostoja për të gjelbëruar dhe pyllëzuar zonat që përfshihen në bashki dhe jashtë saj, jo vetëm që do të hapte vend e pune, kostoja e fidaneve do të ishte më e vogël duke shmangur jo vetëm blerjen e tyre, por duke u bërë një pikë shitjeje duke i siguruar të ardhura kësaj bashkie.
Atraksionet turistike, traditat dhe kulinaria në Bashkinë e Memaliajt
Nëse mendoni të vizitoni jugun e Shqipërisë, një prej ndalesave duhet të jetë edhe Memaliaj. Memaliaj ka shumë për të ofruar, ka trashëgimi natyrore, historike dhe kulturore të larmishme. Kryeqendra e Bashkisë Memaliaj është qyteti Memaliajt, një qytet i vogël i cili e filloi jetën dhe veprimtarinë e tij në 1947-1948, me gjurmimet dhe kërkimet gjeologjike për qymyrgur.
Lumi Vjosë është simbol i Memaliaj, një nga arsyet e qëndrimit të shumë turistëve për shkak të veçorive të tij si lumi i fundit i egër i Europës ose njohur ndryshe si “Zemra Blu”. Rrethon nga tre anë qytetin Memaliaj, duke krijuar imazhin e një gadishulli të vogël.
Gjithashtu Turizmi industrial dhe ture komuniste janë zgjedhje për shumë turistë të cilët duan të mësojnë më shumë mbi gjurmët që ka lënë komunizmi në Shqipëri. Qyteti ka ende ndërtesat tipike të periudhës së komunizmit. Ture në minierat e vjetra janë gjithashtu interesante. Gjithashtu mund të vizitoni lumin e Vjosës dhe fshatrat përreth si: Luftinjë, Buz, Progonat dhe Krahës.
Memaliaj është një zonë ku mund të shijosh plotësisht të 4-tët tinët e vitit. Natyra ka krijuar një mjedis të larmishëm me lumenj, male, kodra e me fusha. Natyra dhe ekoturizmi janë gjithnjë mundësi të mira në Memaliaj duke perjetuar një aventurë të bukur ndërsa udhëtoni në këtë zonë. Shëtitje në natyrë, vëzhgimi i florës dhe faunës, njohja e kulturës dhe trashëgimisë lokale, peshkimi sportiv, shëtitje me biçikleta, shikimi i shpendëve, shëtitjet me kajak, shëtitje në natyrë, rafting, turizëm fotografik, kampe përbëjnë turizmin e natyrës në Memaliaj.
Vijon nesër