Ditët e fundit pamë lot në sytë e Ronaldos, si kurrë më parë. Gjatë një interviste, kur u pyet për babanë, ai u prek shumë dhe nuk i përmbajti dot emocionet. Ylli i Juventusit, tani 34 vjeç, ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme, çka i lejon tifozët dhe ekspertët ta konsiderojnë atë më të madhin e të gjitha kohërave. Pas nënshkrimit me Manchester United si “adoleshent”, ai shkoi si superstar te Real Madridi. Portugezi shihet si një nga më të mëdhenjtë e sportit në të gjithë globin.
Por, i gjithë ai sukses është i ngjyrosur me trishtim, falë një jete familjare të trazuar, me një baba alkoolik, i cili humbi mundësinë ta shihte rritjen meteorike të të birit. Babi, José Dinis Aveiro, vdiq në vitin 2005 për shkak të degradimit të mëlçisë nga alkooli. Kjo ndodhi kur Ronaldo ishte vetëm 20 vjeç dhe kishte vetëm dy vite karrierë në “Old Trafford”.
Në një intervistë me Piers Morgan, ai u përlot, kur u pyet për të atin: “Unë me të vërtetë nuk e njoh babain tim 100 për qind. Ai ishte një njeri i alkoolizuar. Kurrë nuk bëra me të një bisedë normale. Ishte e vështirë. U bëra numri një në futboll, kam fituar shumë trofe e çmime, por babai nuk pa dot asgjë nga këto. Ndiej keqardhje të madhe që nuk pa dot se kush u bëra”.
Jeta e një ushtari
José Dinis Aveiro u detyrua të shërbente në ushtri. Ai luftoi për të parandaluar që Angola të fitonte pavarësinë nga Portugalia, por të mbetej koloni e saj. Ishte një luftë e përgjakshme, në të cilën humbën jetën në fushë-betejë disa nga shokët e tij. Duke qenë se pa mizori të ndryshme në këtë luftë, babai i CR7 u ndikua negativisht në aspektin psikologjik e mendor.
Kushtet e jetës në luftë ishin të tmerrshme, ndërsa ushtarët kishin mbetur gjysëm të uritur. Edhe kur iu mbërrinin furnizime, ushqimet ishin të prishura, të kalbura. Akoma më keq, sëmundja përfshiu kampin ushtarak. Shumë burra përfunduan në shtretër të sëmurë, sepse vuanin nga malarja, të dridhurat, ethet. Kjo sëmundje i bënte të paaftë të lëviznin për javë të tëra.
Ushtarët jetonin kryesisht me birrë
Uji nga një lumë lokal nuk ishte i sigurt për t’u pirë. Po ashtu, ishte aq i ngrohtë, sa nuk mund t’jua shuante etjen ushtarëve. Në vend të lëngut jetësor pinin birra. Kur u kthye nga lufta në Aveiro, babai i Ronaldos ishte një burrë i thyer fizikisht e psikologjikisht. Megjithatë, i kishte shërbyer me devotshmëri vendit të tij.
Një jetë e re
Pas 13 muajsh në Afrikë, ku luftoi edhe në Mozambik, José Dinis Aveiro u kthye në një Portugali, që mezi e njihte më. Lufta i kishte shpenzuar kaq shumë para vendit, sa u përjetua një situatë e tmerrshme ekonomike. Nuk kishte punë në Madeira, ndaj mërzia e tij ishte e madhe. Ai nisi të pinte shumë alkool nëpër lokale, ku të gjithë e qerasnin për faktin se kishte qenë në luftë si ushtar. Shoku i tij i luftës, Jose Manuel Coelho, i tha ESPN: “Ne u braktisëm. Veteranët e luftës nuk kishin para dhe punë. Sigurisht, kur shoh Ronaldon, më kujtohet babai i tij. Ai kishte probleme dhe nuk kishte asgjë për të ngrënë, kështu që nisi të pinte. Miqtë e tij ia paguanin pijet, sepse nuk kishte para. Madje, as nuk u ushqye si duhet”.
Në një moment të jetës së tij, babai i CR7 u bë kopshtar, pastaj i shtoi të ardhurat me punën shtesë në një ekip me qendër në periferinë e Funchal, Santo Antonio. Ai rregullonte dhomat e zhveshjes dhe sigurohej që të gjithë lojtarët të kishin ujë për t’u larë. Djali i tij u përndoq nga shokët e skuadrës, sepse babai i tij bënte një punë kaq të rëndomtë. Sidoqoftë, kjo e bëri Ronaldon më shumë të uritur për të pasur sukses, për t’u treguar atyre që e përçmuan se ishte i pathyeshëm.
Vdekja prej alkoolit
Pas abuzimesh të mëdha me alkoolin, trupi i tij u shkatërrua. Më në fund, ai u dorëzua. Në shtator 2005 ndërroi jetë nga mosfunksionimi i mëlçisë, në moshën 51-vjeçare, në Londër. Ronaldo kishte bërë gjithçka për ta mbajtur në jetë babanë e tij, por të gjitha paratë e botës nuk mund ta ndalonin vdekjen e pashmangshme. Babai vdiq në krahët e CR7, ndërsa si premtim, djaloshi i talentuar deklaroi se do të bëhej futbollisti më i mirë në botë.
Ronaldo nuk e theu kurrë premtimin e tij dhe ka vazhduar të fitojë pesë “Topa të Artë”. Por, për fat të keq, babai i tij kurrë nuk e përjetoi suksesin e tij mahnitës. Pikërisht për këtë, ylli i Juventusit shpërtheu në lot së fundi, duke treguar anën e dobët të një futbollisti të pandalshëm e të pakonkurrueshëm.