Më shumë njerëz në botë përpiqen të mësojnë gjuhën angleze se cilëndo gjuhë tjetër. Anglishtja është gjuha e bisedimeve politike, biznesit ndërkombëtar, komunikacionit ajror, shkencës dhe mjekësisë botërore. Mirëpo, nga erdhi anglishtja dhe si u bë kaq popullore? Një vështrim i shkurtër i historisë së gjuhës angleze që fillon rreth 5 mijë vjet më parë, diku pranë brigjeve veriore të Detit të Zi në Evropën juglindore.
Ekspertët thonë se banorët e brigjeve të Detit të Zi flisnin një gjuhë që sot quhet proto-indo-evropianishte. Ajo gjuhë nuk flitet më dhe hulumtuesit nuk e dinë se si tingëllonte.
Por familja proto-indo-evropiane e gjuhëve besohet të jetë paraardhësja e shumicës së gjuhëve evropiane, përfshirë greqishten e vjetër, gjermanishten e lashtë, latinishten dhe ilirishten. Këto gjuhë u zhdukën si gjuhë të folura, por lanë pas bijat e tyre. Latinishtja evoluoi në spanjishte, frëngjishte dhe italishte. Gjermanishtja e lashtë u shndërrua në holandishte, danishte, gjermanishte, norvegjishte, suedishte dhe në njërën nga gjuhët që më vonë mori trajtën e anglishtes së sotme.
Gjuha angleze është rrjedhojë e dyndjeve të Britanisë nga popuj të ndryshëm. Dyndjet e para u ndërmorën rreth 1 mijë e 500 vjet më parë nga anglët, një fis gjerman i cili kaloi kanalin e Lë Manshit, që ndan Evropën kontinentale nga ishulli britanik. Më vonë edhe dy fise të tjera të tjera, saksonët dhe jutët, invaduan Britaninë.
Keltët, që ishin populli i lashtë i Britanisë, iu kundërvunë me luftë dyndjeve të fiseve gjermane, por shumica e vendasve u vranë ose u skllavëruan dhe disa syresh u larguan drejt pjesëve të tjera të ishullit. Me kalimin e kohës, banorët e rinj, anglët, saksonët dhe jutët, përzien gjuhët e tyre të ndryshme, duke krijuar gjuhën anglosaksone apo anglishten e vjetër.
Anglishtja e vjetër është shumë e vështirë për t’u kuptuar dhe vetëm disa ekspertë mund ta lexojnë këtë formë të gjuhës angleze. Në anglishten e vjetër u shkrua poema epike e Bevulfit, e cila i kushtohet një mbreti popullor. Ekspertët thonë se ajo është e para poema në gjuhën angleze dhe se u shkrua mbi 1 mijë vjet më parë nga një autor i panjohur.
Rreth 1 mijë e 100 vjet më parë, Britania u pushtua sërish, kësaj radhe nga një popull luftarak të quajtur vikingë. Këta vinin nga Danimarka, Norvegjia dhe vendet e tjera nordike me synimin për të rrëmbyer mallra dhe skllevër. Por shumë vikingë ngelën përherë në Britani dhe ndikuan edhe në gjuhën angleze. Shumë fjalë të rëndësishme që përdoren sot në anglishte vijnë nga gjuhët të cilat fliteshin në vendet nordike.
Më pas, në vitin 1066, Britaninë e pushtuan normandët, një popull frëngjishtfolës nga krahina e Normandisë, në veri të Francës. Ata u bënë sundimtarët e rinj të Britanisë dhe për shekuj me radhë folën vetëm frëngjisht. Ajo ishte gjuha e njerëzve të arsimuar, ndërsa anglishtja e vjetër mbetej gjuha e njerëzve të thjeshtë në Britani.
Anglishtja e vjetër huazoi shumë fjalë nga frëngjishtja normane, sidomos në drejtësi dhe administratën shtetërore. Shumica e fjalëve angleze që përdoren sot në këto fusha vijnë nga frëngjishtja, si p.sh. fjalët “parliament” dhe “justice”, që domethënë drejtësi.
Frëngjishtja që përdorën sundimtarët normanë ndryshoi mënyrën sesi flitej anglishtja 800 vjet më parë dhe populli filloi të fliste një gjuhë që ekspertët e quajnë anglishte e mesme. Me kalimin e kohës, as pushtetarët nuk flisnin më frëngjisht, por flisnin një gjuhë të përzier të anglishtes së mesme me frëngjishten.
Anglishtja e mesme tingëllon si anglishtja moderne, por është akoma e vështirë për t’u kuptuar. Një nga veprat më të famshme në këtë formë të gjuhës angleze është poema e Xhefri Shoserit, “Tregime nga Kanterbëri”, shkruar mbi 600 vjet më parë. Poema flet për vizitorët e ndryshëm në qytetit e Kanterbërit dhe ekspertët thonë se pasqyron qartë njerëzit të asaj kohe. Ekspertët gjithashtu cilësojnë Xhefri Shoserin si autorin e parë të rëndësishëm që përdori gjuhën angleze në shkrimet e tij.
Historia e gjuhës angleze vazhdon me shndërrimin e anglishtes së mesme në anglishten moderne që flitet sot.