“Mbretëresha e bukur e Linejnit” , komedia e shkruar nga Martin Mekdonah, do të ngjitet së shpejti në skenën e Teatrit Eksperimental nën regjinë e Kico Londos. Në role intepretojnë aktorët Laura Nezha, Ermira Gjata, Genci Fuga, Engjëll Hoxha.
Kjo vepër u ngjit në skenë për herë të parë nga kompania e Druid Theatre në Galluej, Irlandë, më 1 shkurt 1996. Ajo gjithashtu shijoi suksesin e shfaqjeve në Uest End të Londrës, Broduej dhe Of-Broduej.
Është kandiduar për çmimin Lorenc Olivier si vepra më e mirë dramatike për produksionin e Londrës, dhe produksioni i Broduejit i vitit 1998 u kandidua për 6 çmime Toni, duke fituar 4.
Kjo komedi tragjike vazhdon të shfaqet me sukses në skenat botërore. Vepra, e vendosur në malet e Konemarës në kontenë Galluej të Irlandës, rrëfen historinë me nota të errëta komike të Morin Folanit, një grua e zakonshme dhe e vetmuar në të dyzetat, dhe të nënës së saj manipuluese Meg. Ndërhyrja e Megit në mundësinë e parë dhe ndoshta të fundit të së bijës për një lidhje dashurie vë në lëvizje një tren me ngjarje sa komike, aq tmerruese, të cilat çojnë në fundin e pashmangshëm tragjik të pjesës.
“Mbretëresha e bukur e Linejnit” është një kritikë ndaj nacionalizmit irlandez, i cili është toksik dhe anti-modern, ndërkohë që tregon nevojën urgjente për një identitet, që nuk është vetëm modern, por edhe irlandez.
Ndërsa prioritetet e autorit Mekdonah sillen te krijimi i komedisë së zezë, fakti që vepra është bërë kaq e famshme tregon vendin voluminoz, që zë ajo në një diskutim më të gjerë mbi luftën për të gjetur një truall të mesëm midis nacionalizmit, që qëndron larg realitetit, dhe modernitetit të zbrazët kulturalisht.
Ndërsa Mekdonah nuk e drejton gishtin mbi ndonjë lloj shprese apo zgjidhjeje në vepër, cikli zemërthyes i traumës mes personazheve në Linejn paraqet një kritikë kulturale të rëndë dhe të sinqertë.