Ai po fluturonte 900 metra mbi Amazonë gjatë rrugës për në një minierë të paligjshme, thellë në rezervatin Maicuru në Brazil, kur motori i vetëm i avionit të vogël me helikë që po fluturonte u fik.
Dhe ai ra në tokë. Historia e pilotit 36-vjeçar, Antonio Sena, i cili i mbijetoi përplasjes nën drejtimin e “Cessna 210L” të tij, është e pabesueshme.
Jo vetëm sepse doli i padëmtuar nga një aksident që mund të ishte lehtësisht fatal.
Ose sepse aeroplani, me ngarkesën e tij shumë të ndezshme (po dërgonte naftë në një minierë) mori flakë një moment, pak pasi ai u largua.
Por mbi të gjitha, sepse kur piloti e kuptoi se, atje, ku ai kishte rënë në thellësitë e pyllit, askush nuk do të mund ta dallonte kurrë, ai filloi të ecte.
Dhe e bëri për 36 ditë – iu desh kaq shumë kohë për të arritur një siguri – përmes pyjeve të lagësht të Amazonës, habitati i jaguarëve, insekteve helmuese dhe anakondave.
Ashtu si një film (por gjithçka është e vërtetë)
Aventura, e cila përfundoi më 6 mars dhe e raportuar nga gazeta amerikane “New York Times“, është aq e pabesueshme, sa mund të duket si skenar për filmat më të mirë “katastrofikë” (për fat të mirë me një fund të lumtur).
Menjëherë pas përplasjes, Antonio Sena, largohet nga mbetjet e “Cessna”-s, duke imagjinuar se ky është shansi i tij më i mirë për t’u gjetur.
Por avionët e kërkimit, patrullojnë zonën për disa ditë dhe – siç do të tregojë më vonë vetë Sena – “fluturojnë menjëherë” pa e parë.
Kështu që, Antonio Sena fillon të ecë. “Ecja vetëm në mëngjes, duke përdorur pozicionin e diellit për të shkuar në lindje drejt lumit”, – thotë ai.
I kalon kënetat kryq e tërthor. Improvizon strehë me palma dhe degë pemësh për t’u mbrojtur nga shiu, duke fjetur në kodra, larg ujit, një rezervat i preferuar për gjueti për grabitqarët.
Ai është i rrethuar nga tufa majmunësh, të cilët përpiqen të shkatërrojnë strehën e tij tashmë të pasigurt.
Mëson të hajë vezë zogu dhe të marrë fruta, pasi mëson pikërisht nga majmunët që e ndiqnin – dhe sulmuan – që t’i hanin ato. Dhe në fund ai shpëton.
Pas më shumë se një muaji shëtitje, Antonio Sena hasi disa njerëz që mblidhnin arra, të cilët nuk e kishin frekuentuar atë pjesë të pyllit për tre vjet. Dhe këtu takon gruan që e shpëton.
Drejtuese e grupit është Maria Jorge dos Santos Tavares, 67 vjeçe, e cila humbi burrin e saj nga Covid dhe për të përballuar problemet ekonomike, filloi të kërkonte arra në zonën më të thellë të pyllit.
Pikërisht aty ku ndodhej piloti. “Ne humbëm një jetë dhe ti fitove një”, – i thotë gruaja.
Në kreditet e kësaj historie të pabesueshme, rrjedhin fjalët e Antonio Senas, duke komentuar mbi foton që postoi në profilin e tij në Instagram, sapo u kthye në shtëpi: “Më në fund mora një nga fotot që doja më shumë. Kjo është Dona Maria Jorge dhe familja e saj e pabesueshme, të cilët më pritën me zemër të hapur dhe shumë dashuri. Do të takohemi përsëri së shpejti!! Unë ju dua!!”.
Një fund i lumtur që shkoi përtej çdo trillimi.