Si e përndoqi vajza Princeshë Elian nga dashuria për Princ Lekën
“Mund ta kesh fustanin e bukur, por kjo nuk të bën njeri të bukur”.
E veshur me të zeza dhe me një sjellje histerike një vajzë e re, 24 vjeç ishte kthyer në makthin e princeshë Elia Zaharia. Fitore Bekteshi, vajza me origjinë nga Maqedonia, e lindur në Çikago të SHBA-ve dhe banore në Tiranë u denoncua në polici nga Elia dhe Princ Leka pasi ndiheshin të kërcënuar për jetën.
Më 16 shkurt 2017, Gjykata e Tiranës mbylli gjykimin e dosjes së saj, duke e deklaruar fajtore dhe e dënoi me 6 muaj burg. Për shkak se dënimi me burgim është më i madh se dënimi i vuajtur gjykata ka konstatuar shuarjen e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” caktuar më herët ndaj saj.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor rezultoi u zbardhën dhe dëshmitë që Princi, Princesha dhe vetë vajza e akuzuar dhanë në Polici vitin e kaluar.
Elia Zaharia: Vajza më përndjek, ulëret dhe thërret: Princ të dua!
Kështu në datën 12.07.2016 në Komisariatin e Policisë Nr. 1, Tiranë është paraqitur shtetësja Elia Zaharia dhe ka bërë kallëzim penal ndaj të pandehurës Fitore Bekteshi.
“Ka më shumë mbi një vit që një femër me përndjek veprimet e së cilës më kanë krijuar gjendje ankthi dhe frike. Kjo femër të cilën e kam identifikuar me emrin Fitore Fazli Bekteshi në çdo vend që shkoj unë vjen pas meje, unë futem në lokal ajo vjen pas meje në lokal, më shikon gjithë inat por duke qenë se kam qenë e shoqëruar nuk ka mundur të më afrohet. Kjo femër kur unë ndodhem në shtëpi vjen dhe qendron thuajse tërë ditën në rrugën dhe rri para derës së banesës time, ajo natën herë pas here fillon të ulërasë me të madhe duke thënë princ unë të dua.
Shpesh herë unë nuk detyrohem të ndryshoj rrugë kur shoh këtë femër në afërsi të derës së banesës time. Konkretisht më datë 10.07.2016 rreth orës 17:00 isha së bashku me princin te lokal Tajvani duke ngrënë drekë, Fitorja vjen dhe ulet përballë nesh dhe kontrollonte çdo lëvizje tonën. Herë pas here kjo femër fillonte dhe provokonte princin duke qeshur. Princi dhe unë bënim sikur nuk e kishim vëmendjen te Fitorja por ajo vazhdonte me veprimet e saj. Në këto rrethana unë dhe princi u detyruam të ngriheshim nga restoranti dhe vajtëm në banesën tonë. Fitore Bekteshi kur na pa ne që u ngritëm, dhe ajo ngrihet nga
tavolina e saj dhe na vihet nga pas. Fitorja qëndronte thuajse ngjitur me ne dhe Lekën e shikonte me një lloj dashamirësie ndërsa mua më kërcënoj duke më thënë “unë ty po të përcjell”. Duke qenë se në muajin tetor të këtij viti do martohemi me princin sot më 12.07.2016 rreth orës 14.30 kishin ardhur media të shumta për të marrë reportazh. Gjatë filmimit që bënte një nga mediat ndërkombëtare te Pedonalja dhe Galeria e Arteve përsëri Fitorja si çdo ditë na vihet nga pas duke nga krijuar shumë shqetësim mua dhe princit duke na prishur imazhin.
Mua më shikonte me inat ndërsa Princin e provokonte. Në këto rrethana kam njoftuar organet e policisë së shtetit, por në momentin që erdhën policët Fitorja iku me vrap. Përsëri Fitorja sot më datë 12.07.2016 në orën 16.30 vjen te rrethimi i kangjellave të pjesës rrethuese dhe tentonte të futej brenda rrethimit. I kishte thënë I.R se dua që të futem brenda në oborrin e princit, por ky i fundit nuk e kishte lejuar. Me sa kam mësuar kjo shtetase është përdoruese e lëndëve narkotike. Me veprimet e saj kjo shtetase më krijon gjendje ankthi dhe frike, kjo vjen dhe qëndron ulur për një kohë të gjatë para derës së banesës time, nuk mund të dal të takoj dhe të jap reportazh para mediave sepse mundohet të më diskretojë, thërret me zë të lartë në emër të princit duke i thënë se “unë të dua ty” etj. Princi më ka thënë që të bëj ankim në polici dhe të marrë rrugë zgjidhje ky problem sepse kemi kohë që përndiqemi nga ana e kësaj femre etj.
Përfundimisht Fitore Bekteshi me veprimet e saj më ka krijuar një gjendje ankthi dhe pasiguria për jetën, kjo femër bën veprime të pakontrolluara sepse një njeri normal nuk mund të bëj veprime të tilla, e kam të vështirë të dal nga banesa ime dhe të shkoj në lokalë apo në ndonjë vend tjetër takim zyrtar apo për të kaluar kohën e lirë sepse kudo e kam nga pas. Përfundimisht ndaj shtetases Fitore Bekteshi bëj këtë kallzim penal duke qenë se njëherë këtë femër në muajin prill të vitit 2016 e kanë shoqëruar njëherë në komisariat të policisë dhe pas këtij rasti vinte dhe më ndiqte më rrallë nga pas, ndërsa tani në muajin qershor është bërë shumë agresive ndaj meje dhe princit. Kërkoj që kjo çështje të ndiqet në rrugë ligjore. Me sa kam arritur të fiksoj kjo femër është me të meta mendore dhe nuk mund të kontrolloj veprimet e saj”.
Leka Zogu: Një natë fjeti përjashta, pranë banesës sonë
“Po është e vërtetë, që prej më shumë se një viti, shtetësja Bekteshi na përndjek të dyve. Emrin e saj e kam mësuar nga policia vetëm pas arrestimit të saj. Me veprime konkrete fillimisht ka qendruar vetëm para rezidencës tonë të banimit, e ulur tek lokali “Millenium” afër gardhit rrethues të rezidencës. Pastaj ka lëvizur shpeshherë tek pjesa prapa galerisë së arteve. Rrinte qeshte dhe tentonte të tërhiqte vëmendjen time.
Fjalë nuk më ka hedhur në atë kohë. Komunikimi i saj me mua filloi gjatë dimrit të kaluar, kur filloi të më ndiqte edhe kur isha me makinë dhe ajo vinte nga pas me biçikletë. Një herë tek një super-market ndërkohë që unë isha brenda, ajo bënte sikur bënte pazarin me mua. Pastaj më shikonte në rrugë më buzëqeshte. I vetmi komunikim me të kam pasur një herë dhe shoqëruesi im i ka thënë të largohej, kjo ka ndodhur tek rezidenca jonë dhe në ato momente, ajo ka filluar të bërtasë duke thënë se ishte qytetare e lirë dhe ka të drejtë të ece në rrugë dhe të mos cenohet në lirinë e saj.
Bile ajo ju thoshte rojeve se më donte dhe bërtiste me të madhe që ta dëgjonin njerëzit. Më ka ndjekur nëpër lokale të ndryshme kur shkoj me shoqërinë. Në një rast kam qenë tek nje bar pas një takimi që kam pasur tek disa zyra pasi e pashë që po më ndiqte kjo shtetase dhe unë u futa që të fshihem aty. U ula në tavolinë përballë meje, më vështronte duke tentuar të tërheqë vëmendjen time, është larguar pa paguar edhe atë që kishte marrë aty.
Përmend dhe rastin që ka ndodhur tek restorant “…”, ku unë menjëherë kam lajmëruar punonjësit aty që të kenë kujdes. Ajo atë ditë u shpreh shumë e nervozuar sidomos nisur nga fakti që isha i shoqëruar nga Elia. Ajo edhe kur ecim rrugës unë dhe Elia, i afrohet Elias dhe i ecën paralel dhe me trupin e saj prek krahun e Elias. I them të largohet por ajo vazhdon me të sajën. Kur jemi kthyer nga një aktivitet dhe kemi ngrënë darkë në kat të dytë tek …, ajo është ulur po aty, nuk ka porositur asgjë është larguar nga restoranti ka qenë dimër shumë ftohtë dhe jam informuar nga rojet se ka fjetur atë natë në natyrë përjashta prapa Galerisë së Arteve. Është futur disa herë brenda kompleksit tonë rezidencial që është i rrethuar dhe ruhet me roje dhe kamera, dyshoj se është futur nga ana e godinës që ne e kemi dhënë me qera, i është afruar edhe gardhit sa herë që dalim në oborr jemi në vëzhgimin e saj. Tek restoranti … ajo është shprehur një herë se më do por kjo ka ndodhur në distancë dhe kanë ndërhyrë shoqëruesi im me butësi për ta larguar.
Një herë isha në lulishten e oborrit të shtëpisë bashkë me vëllanë e Elias dhe e pashë këtë shtetase duke lëvizur brenda rrethimit të gardhit tonë tek pjesa që ne e kishim dhënë me qera po atë ditë ishte pushim dhe dera normalisht duhet të ishte mbyllur. Ka qenë ditë e dielë, jam afruar tek gardhi dhe e pashë i thashë se çfarë po bën por ajo nuk mu përgjigj. I thashë të ikte se do thërrisja policinë.
Ajo përsëri rrinte aty më shikonte, buzëqeshte dhe nuk lëvizte. Unë njoftova rojen dhe ajo ka ikur nga ana e shtëpisë së Libohovëve. Pasi është arrestuar dhe vendosur nën masën e sigurisë ajo nuk është dukur më dhe nuk na ka shqetësuar deri ditën e dasmës tonë kur ka ardhur në ceremoni dhe i ka thënë Elias në distancë se “mund ta kesh fustanin e bukur, por kjo nuk të bën njeri të bukur”.
Ishte në një gjendje histerike atë ditë dhe shumë e acaruar me fytyrë të nxirë e veshur me të zeza si për në varreza. U largua prej aty vetëm me ndërhyrjen e njerëzve të sigurisë për të mos bërë skandal në sy të të ftuarve dhe medias. Për ne si familje është një problem madhor dhe shumë shqetësues. Dua që ajo ti japë fund dhe të na lërë rehat”.
Vajza: E ndiqja kudo sepse e dashuroja në distancë
Fitore Bekteshi nuk ka mohuar asnjë nga deklaratat, madje ka treguar sesi e ndiqte Princin. Sipas saj, mjaftoi nëj vështrim i tij dhe ajo të ndiente se e dashuronte:
“Po, unë kam shkuar tek lokali tek kinema … prej shumë kohëh dhe nuk e dija fare që egzistonte Leka. Një ditë teksa po rrija tek kangjellat tek lojrat e fëmijëve, Leka ishte aty. U vështruam reciprokisht përtej gardhit për një moment të shkurtër, por për mua ishte shumë i gjatë edhe pse nuk isha njohur më përpara me të. Kjo ka ndodhur nga muajt Maj- Qershor i vitit të kaluar. Ai ishte duke ecur me qentë e vet por nuk më dha ndonjë shenje pasi nuk kishte arsye. As unë nuk i fola. Pas kësaj unë u ndjeva mirë, u tërhoqa nga Leka dhe fillova ta dashuroja në distancë megjithëse ai nuk me tha asnje fjale.
Prej asaj dite, unë shkoja shpesh tek ai lokal, gati çdo ditë me ndonjë ndërprerje, për shkak të mesimeve. Arsyeja që shkoja ishte se doja ta shikoja Lekën, pasi ai për mua ishte një diell më tepër, dielli vetë. Gjatë vajtjeve të mia atje, e kam parë disa herë atë. I kam buzëqeshur atij si gjithë të tjerët, kurse nga ana e tij nuk ka marrë asnjë reagim. Pas kësaj unë afrohesha shpesh tek rrerthimi dhe luaja me qentë e tij.
Një ditë në Prill të këtij viti, teksa po rrija mbrapa kangjellave dhe po lexoja një libër, ishte kohë me diell drekë, më është afruar Elia Zaharia dhe më pyeti se çfarë bëja aty, se duhej të largohesha se do më çonte o në spital psikiatrik o në polici por këtë duhej ta zgjidhja unë. I thashë që doja asnjë nga te dyja dhe u largova. Kjo ishte hera e parë që ajo u përplas verbalisht me mua.
Unë u ktheva aty të nesërmen prapë dhe po rrija tek gjelbërimi duke qëndruar më larg por aty ka ardhur policia dhe më ka shoqëruar në Komisariat për identifikim pasi nuk kisha kartë me vete. Kam ndenjur atje për një kohë të gjatë dhe unë nuk kam dashur që policia ta njoftojë familjen. Më kanë lëshuar dhe kam shkuar në shtëpi. Policia nuk më tha të mos shkoja më atje por thjesht për kartë identiteti. Të nesërmen unë shkova prapë tek vila e Zogut dhe aty po luaja me një breshkë bashkë me një zonjë dhe nipin e saj. Ka ardhur përsëri policia dhe mëkanë shoqëruar përsëri.
Kësaj here më thanë se nuk duhej të shkoja më tek kangjellat e vilës së ishte pronë private. Për disa kohë nuk jam afruar por kur ka filluar kampionati botëror i futbollit, kam filluar të shkoj përsëri në kafen aty që është hapësirë publike. Tek kangjellat e vilës nuk jam afruar, nuk kam bërë asnjë veprim. Kam pasë konfrontime me rojet private të vilës, por kjo ka ndodhur kur unë jam futur brenda rrethimit të vilës kur aty është hapur një Call Center duke menduar se kjo gjë nuk ishte e ndaluar. Pashë që aty kishte nevojë për pastrim nga barerat e këqija, kishte dhera dhe unë vullnetarisht me disa vegla që ndodheshin aty, kam filluar pastrimin dhe sistemimin e terrenit të vilës. Këto veprime unë i bëra e shtyrë nga ndenjat që kam për Lekën, duke dashur ti tregoj atij se mua më pëlqen pastërtia dhe rregulli.
Gjatë kësaj kohe Leka dhe Elia nuk më kanë parë besoj. Unë thjesht doja që në mëngjes kur ata të zgjoheshin, gjithçka të ishte pastruar dhe rregulluar dhe jo të krijoja ndonjë zhurmë apo shqetësim për ta. Rojet e sigurisë vetëm kur unë kisha mbaruar pastrimin me thanë që të mos dukesha më aty pasi nuk lejohej dhe unë ika. U ktheva përsëri pasi nuk kisha mbaruar punë dhe se nuk mund ta prisja Elia mbarimin e kësaj pune të nisur. Nëpër Tiranë kam pasë kontakte me çiftin kryesisht me Lekën pasi atë ndiqja. Më kujtohet rasti i supermarketit kur pasi e kisha ndjekur Lekën me biçikletë jam futur brenda dhe teksa ai bënte pazar bashkë me rojen, unë i kam buzëqeshur, nuk i kam folur pasi kur jam afër tij unë mpihem dhe bllokohem, nuk flas dot. Në një rast tjetër unë po e ndiqja përsëri dhe ai ishte ulur në një lokal tek …” te … dhe po pinte çaj të ftohtë. Hyra dhe unë në lokal dhe u ula anash tij, jo aq ngjitur porosita edhe unë çaj të ftohtë. I kam buzëqeshur sepse nuk rrij dot pa i buzëqeshur atij. U ngrit ai dhe pastaj u ngrita edhe unë nga lokali.
Çajin e pagova vetë. Në një rast tjetër tek restorant …Leka ka qenë ulur me Elian dhe unë po i ndiqja nga pas. U ula jashtë kurse ata brenda. Nuk u kam folur por i buzëqesha Lekës pasi unë i buzëqesh edhe fëmijëve të vegjël që ndodheshin. Ka qenë verë. Një herë tjetër tek restorant “Padam” teksa e ndiqja Lekën dhe ai ishte me disa shokë, unë e pashë që hyri aty por vetë nuk hyra dhe nuk i kam thënë asnjë fjalë ika, nuk e prita. Një natë unë kam fjetur përjashta oborit të vilës së tij pasi doja të mbaroja punën që kisha filluar në oborr. Një ditë tjetër Leka më ka thënë të largohem nga rrethimi i vilës por unë nuk i kam thënë asnjë fjalë vetëm i kam buzëqeshur dhe pastaj jam larguar. Vajtjet e mia atje kanë pasur si qëllim shprehjen e ndjenjave të mia ndaj Lekës. Unë e dashuroj atë, me fjalë nuk ja kam thënë por me veprimet e mia, me këngë, vizatime, buzëqeshje, mendoj se ja kam shprehur. Unë këtë mënyrë kam zgjedhur. Ndaj Elias nuk kam asgjë. Kur ishin tek … kur u ngritën, Elia qeshte me një shoqen e saj dhe më tha nëse e kisha parë veten në pasqyrë pasi unë nuk dija të vishesha dhe se para se të vija aty duhej të vishesha më bukur.
Unë i thashë se nëse ti i flet një njeriu në këtë mënyre, ti i mendon këto gjera në veten tënde. Leka nuk më tha asnje fjalë kurse Elia filloi të bërtiste. Unë vetëm e dëgjoja dhe më çuditi sesi flet ajo mua pasi unë nuk e kam fyer dhe nuk kam folur me asnjë për të. Ditën e dasmës nuk më kujtohet se çfarë kam bërë. Kam qenë tek Galeria e Arteve afër vilës, kisha veshur rroba të zeza dhe pashë Elian dhe Lekën teksa dolën nga makina. Elia ishte veshur nuse dhe Leka dhëndër. Në oborr kishte njerëz që nuk kishin ftesa dhe po kërcenin. Në momentin kur zbriti çifti nga makina, un i thashë Elias se fustanin e ke shumë të bukur sa keq që krahason edhe me jetën e njerëzve ajo nuk tha gjë por vazhdoi përpara. Unë e dija që isha me masë sigurimi arrest në shtëpi por përsëri dola nga shtëpia pasi kisha kohë që nuk e kisha parë Lekën dhe doja ta shikoja për herë të fundit, megjithatë dashuria ime për të nuk ka mbaruar, nuk do ta shpreh më siç ja kam shprehur deri më tani por do ta dashuroj për së largu. Unë e kam afër në zemrën time”.
Fitorja në proçesin gjyqësor dha garanci se nuk do e përndjekë më familjen e Princit. Ajo u shpreh se do tregojë me vepra bamirësie se ka ndryshuar sjellje.
“Tek shtëpia e tij nuk do shkoj më, nuk do ta ndjek me biçikletë. Do gjej mënyra të tjera jo ilegale, do pastroj rrugët e shtëpisë, do vazhdoj të shkoj nëpër protesta por jo tani që jam me masë sigurimi, të kontribuoj për shoqërinë në punë vullnetare, në organizata”.