Merkatoja përbëhet nga mundësi: të humbura dhe të shfrytëzuara. Disa blerje, të realizuara, ose të humbura, shënojnë përgjithmonë historinë e një klubi. Ky është rasti i Liverpulit, të cilit iu deshën shumë kohë për t’u rikthyer i madh në Premier League. Ndoshta koha do të ishte më e shkurtër, nëse në vitin 2003 gjërat do të kishin shkuar ndryshe, kur ishte mundësia për të blerë një djalosh shumë të ri portugez. Phil Thompson, legjenda e “Reds”, shpjegon në një intervistë për The Athletic, se Cristiano Ronaldo duhej të përfundonte te Liverpul, por klubi i tij nuk e kapi momentin, që u shfrytëzua nga rivalët e Mançester Junaitid.
Në atë kohë portugezi kushtonte shumë pak. “Të gjithë po flisnin shumë mirë për të. Tony Henry, ish-mesfushori i Manchester City, punonte për agjentin Paul Stretford, të cilit Jorge Mendes i kishte ngarkuar detyrën të krijonte ndonjë interes për Ronaldon në Angli. Ata mezi prisnin ta bënin të largohej nga Sporting dhe më ftuan ta shikoja në një ndeshje. Më thanë që çmimi ishte 4 milionë sterlina, por ne mund ta paguanim për katër vite. Dhe kur e pyeta për pagën, ata më thanë se kërkonte 1 milion sterlina në vit. Shumë para për një 18-vjeçar, por ishte e negociueshme”, rrëfen Phil Thompson
Por, këtu hyn në lojë fati. ”Ishte e diel, kështu që unë i shpjegova se duhej të kthehesha në Liverpul dhe të bisedoja me Gerard Houllier dhe të shihnim se çfarë mund të bënim. Unë ia dhashë të gjitha informacionet Gerard, i cili më tha që do të fliste me drejtorin ekzekutiv, Rick Parry. Dhe çfarë ndodhi? Javën pasardhëse lexova në Sky: Manchester United blen Cristiano Ronaldo nga Sporting për 12.2 milionë sterlina. Nuk mund ta besoja. Një goditje e keqe për Liverpulin. Gerard më kërkoi të telefonoja dhe të zbuloja se çfarë kishte ndodhur. Gjithçka absurde, shifra ishte trefishuar brenda një jave. Ai ishte pa dyshim një talent, por askush nuk e dinte se sa i madh do të bëhej. Përveç…. Manchester United”