Extra Historia e trishtë e djalit të Ajnshtajnit, i vetmi problem që gjeniu...

Historia e trishtë e djalit të Ajnshtajnit, i vetmi problem që gjeniu nuk arriti dot ta zgjidhte

Drama e Eduardit: Një jetë e kaluar në klinikë, i braktisur nga babai

Albert Ajnshtajn, përveç të qenit gjeniu më i madh në botë, ishte edhe një me kurajo të madhe, që arriti t’i shpëtonte Gestapos, dhe të kontribuonte në krijimin e Izraelit, duke shtyrë Presidentin Ruzvelt drejt projektit të bombës atomike, por duke kërkuar ta ndalonte kur ai po planifikonte ta hidhte mbi Japoni.

Por vetëm një gjë nuk arriti ta bënte: të vizitonte të birin të mbyllur në një spital psikiatrik.

Ishte limiti i tij, “por vetëm Universi nuk ka limite”, shkruan Laurent Seksik tek “Çështja Eduard Ajnshtain”, një roman-biografik.

Dy djemtë e Albert Ajnshtajn, Eduard dhe Hans Albert, në korrik 1917.

Në homazh të traditës franceze të biografive që gërmojnë në ndjenja, për ti’ dhënë hapësirë vetëm në kampin psikik pjesës së krijimit romanesk (mjafton të mendojmë biografitë që André Maurois ua dedikoi një numër të madh personazhesh, nga Bajron tek Hugo, nga Zhorzh Sand tek Balzak), Seksik sjell në këtë mënyrë në dritë një pjesë jetë të shkencëtarit të madh të fshehur në letra ose në faqe të njohura të punëve të tjera.

Tragjedia e jetës së tij: i biri Eduard që në moshën 20-vjeçare u mbyll në një spital psikiatrik të Zyrihut dhe si rrjedhojë aty u braktis.

Një tragjedi e harruar. Lindi në vitin 1910, fëmija e dytë nga martesa mes Albert dhe shkencëtares Mileva Mariç, një fëmijë i ndjeshëm, Eduard konsiderohej një talent në muzikë dhe në studime.

Mileva Marić ishte bashkëshortja e parë e Ajnshtajnit

Rritet në Zyrih me të ëmën dhe vëllain Hans Albert. I kalon në Zyrih vitet e adoleshencës që janë të vetmit vite të qeta për të.

Babai që jeton në Berlin vjen shpesh t’i vizitojë, djali në pamje duket i qetë. Regjistrohet në universitet për të studiuar mjekësi.

Dëshiron të bëhet psikiatër, dhe apasionohet pas veprave të Frojdit, por sëmundja i ka vënë pritë, shpërthen në vitin 1930, kur është vetëm 20-vjeç, në një formë shumë të rëndë.

Gjatë një krize, i riu sulmon edhe të ëmën.

Në vitin 1932 është i nevojshëm shtrimi i tij në “Burgholzli”, një klinikë për sëmundjet mendore në Zyrih, dhe nga ai moment gjithçka ndryshon. Eduard del disa herë nga spitali, por aty ishte destinuar të kalonte pjesën më të madhe të jetës së tij derisa vdiq, në 1965-ën, dhjetë vite pas zhdukjes së babait.

Albert Ajnshtajn ne Berlin

Në të gjithë këtë periudhë, në gjithë këtë jetë, Albert dhe Eduard u takuan vetëm njëherë, që dokumentohet edhe në një fotografi.

Ndodhi në vitin 1933, kur shkencëtari braktis Berlinin për t’u larguar drejt Amerikës më gruan e dytë. Hitleri ishte bërë kancelar, dhe Albert Ajshtajni ishte objektivi i parë i nazistëve.

Ia arriti të largohej i gjallë dhe fluturoi në Zyrih për të bindur të birin që ta ndiqte. Nuk ia arriti. Ishte ky takimi i tyre i fundit në Burgholzli.

Së bashku i ranë dhe pianos; më pas asnjë nuk di se çfarë ndodhi në bisedën mes tyre, dhe kjo mund vetëm të imagjinohet.

Këtë bën Seksik në romanin biografik, ku Eduard i thotë babait me një ton sfidues: “Të vij me ty? Më mirë të plas”.

Duket shumë afër të vërtetës ky dialog, edhe pse kurrë nuk do ta dimë se çfarë ndodhi në atë moment mes tyre.

Albert Ajnshtajn me djalin Hans Albert, që ia doli të ikte me të në Amerikë dhe më vonë u bë profesor

I riu iu besua të ëmës dhe kurave të tmerrshme të atyre viteve (përfshirë elektroshokun) ndërsa për shkencëtarin e madh po niste një jetë e re.

Edhe pas luftës dhe pas vdekjes së Milevas, njeriu që ndryshoi botën nuk e ndjeu që të shikonte edhe njëherë në sy çmendurinë e djalit të tij.

Ishte një zgjidhje e dhimbshme, që duket edhe në korrespondencat e tij: “Biri im – shkruante – është i vetmi problem që mbetet pa zgjidhje”.