Bota Pushtimi i Ukrainës të mërkurën? Nëndetësja amerikane hyn në ujërat ruse

Pushtimi i Ukrainës të mërkurën? Nëndetësja amerikane hyn në ujërat ruse

Presidenti amerikan Joe Biden dhe Presidenti rus Vladimir Putin zhvilluan sot një bisedë telefonike, që zgjati 62 minuta, mes shqetësimeve në rritje për një sulm të afërt rus ndaj Ukrainës.

Biden ishte i qartë se, nëse Rusia ndërmerr një sulm ndaj këtij vendi, Uashingtoni së bashku me aleatët dhe partnerët e tij do të përgjigjen me vendosmëri duke goditur Rusisë me sanksione me kosto të shpejtë e të rëndë. Presidenti Biden përsëriti se një sulm rus do të prodhonte mjerim të gjerë për njerëzit dhe do të dobësonte pozitat e Rusisë. Presidenti Biden ishte i qartë me Presidentin Putin se ndërsa Shtetet e Bashkuara mbeten të përgatitura për t’u angazhuar për një zgjidhje diplomatike të situatës, në koordinim të plotë me aleatët dhe partnerët e saj, mbeten të përgatitura njëkohësisht edhe për skenarë të tjerë.

Uashingtoni thotë se ka marrë njoftime nga agjencitë e zbulimit se pushtimi mund të ndodhë të mërkurën.

Përpara bisedës me presidentin amerikan, Putin zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin francez Emmanuel Macron, me të cilin u takua në fillim të kësaj jave.

Në një deklaratë të Kremlinit në lidhje me telefonatën thuhej se Putin-Macron folën mbi ato që Moska i quan “spekulime provokuese për një sulm të planifikuar rus ndaj Ukrainës. Rusia ka mohuar vazhdimisht se po planifikon veprime ushtarake kundër fqinjit të saj.

Gjatë bisedës Putin i tha Macronit se Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk i janë përgjigjur në mënyrë të kënaqshme kërkesave ruse që Ukrainës të mos lejohet të anëtarësohet në NATO e që aleanca të tërheqë trupat ushtarake nga Evropa Lindore.

Nëndetësja amerikane hyn në ujërat ruse

Ndërkohë agjencia e lajmeve ruse TASS duke cituar burime nga Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se një nëndetëse e Marinës së SHBA-së hyri në ujërat territorial ruse në zonën e Paqësorit. TASS raportoi se ajo u detyrua të largohet nga flota ruse. Mes tensioneve në rritje së fundmi thuajse të gjitha shtetet perëndimore u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të largohen nga Ukraina.

Kievi: Ukrainasit të qëndrojnë të qetë dhe të shmangin panikun

Qeveria e Ukrainës u ka kërkuar qytetarëve të saj të qëndrojnë të qetë dhe të shmangin panikun.

”Për momentin është thelbësore të qëndrojmë të qetë, të bashkuar brenda vendit, për të shmangur veprimet destabilizuese që krijojnë panik”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme ukrainase.

Rusia redukton stafin diplomatik në Kiev

Ndërkohë, Moska ka filluar të reduktojë stafin e saj diplomatik në Kiev, njoftoi Ministria e Jashtme ruse.

”Duke pasur frikë nga provokimet e mundshme nga regjimi i Kievit apo nga vendet e treta, ne kemi vendosur të optimizojmë stafin diplomatik rus të pranishëm në Ukrainë”, thuhet në një deklaratë.

Vazhdojnë manovrat ushtarake ruso-bjelloruse

Marina ruse ka nisur stërvitjet në shkallë të gjerë në Detin e Zi duke lëvizur 30 anije nga Sevastopoli dhe Novorosijski.

Kjo u njoftua nga Ministria ruse e Mbrojtjes duke nënvizuar se qëllimi “është mbrojtja e bregdetit të gadishullit të Krimesë, bazat e Detit të Zi dhe sektori ekonomik i vendit nga kërcënimet e mundshme ushtarake”.

SHBA dërgon 3 000 trupa në Poloni

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgojnë 3 000 trupa shtesë në Poloni në ditët në vijim, pasi frika për një pushtim rus të Ukrainës po rritet, njoftoi agjencia britanike e lajmeve, Reuters, të premten, duke cituar katër burime të njohura me situatën.

Një nga burimet, duke folur në kushte anonimiteti, tha se dislokimi i trupave amerikane do të vijë nga Divizioni i 82-të Ajror i SHBA me bazë në Fort Bragg, Karolina e Veriut, dhe jo nga forcat amerikane në Evropë.

Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së, i cituar nga agjencitë e lajmeve AP, AFP, DPA dhe APA, konfirmoi të premten informacionin e Reuters në lidhje me dislokimin.