Ai ishte një nga mbrojtësit më të mirë në historinë e futbollit italian, një kampion që arriti të gjente një vend midis flamujve më të mëdhenj të një klubi të lavdishëm si Milani.
Karriera e Alessandro Costacurta (sot mbush 57 vjeç) ishte shumë e gjatë, plot suksese të jashtëzakonshme, e cila filloi në nivel profesional në mesin e viteve 1980 dhe zgjati deri në vitin 2007, kur, në moshën 41-vjeçare, i “vari këpucët në gozhdë”.
I urtë, inteligjent, i aftë për të vendosur dhe parashikuar lëvizjet e kundërshtarëve në një fraksion sekonde. Ai me Franco Baresi ndërtoi një dyshe qendrore të mbrojtjes që ka mbetur në imagjinatën e shumëkujt si një nga më të mirat e të gjitha kohërave, e denjë sa për të kompleksuar Tassotti dhe Maldini, dyshja vijuese e prapavijës kuqezi që kontribuoi vendosmërisht për ta çuar Milanin në majën e botës.
Rekordi i Costacurta është i qartë: 7 tituj të Serie A, 5 Superkupa Italiane, 1 Kupë Italie, 5 Liga të Kampionëve, 4 Superkupa Evropiane dhe 2 Kupa Ndërkontinentale. 24 tituj të përgjithshëm që e bëjnë atë, që mban rekordin e lojtarit ‘më të vjetër’ që ka shënuar në Serie A (41 vjeç e 25 ditë), një nga lojtarët italianë më të suksesshëm ndonjëherë.
Falë asaj që bëri me Milanin dhe me kombëtaren italiane (me të cilën ishte nënkampion i botës në vitin 1994), Costacurta fitoi statusin e legjendës së futbollit, por nofka që e shoqëroi gjatë gjithë karrierës së tij lidhet me një sport tjetër, basketbollin.
Për të gjithë ka qenë gjithmonë “Billy” dhe për të arritur në rrënjët e asaj që fillimisht mund të dukej si një pseudonim si shumë të tjerë, duhet të kthehemi shumë prapa në kohë dhe më saktë në vitin 1980.
Në atë kohë, Costacurta ishte një mbrojtës shumë i ri, i cili kishte hyrë në sektorin e të rinjve të Milanit, por me një pasion të madh e të vërtetë për basketbollin. Basketbollin e kishte praktikuar qysh në fëmijëri dhe e kishte favorizuar veçanërisht kur në fillim të stërvitjes nxehej duke pasuar topin me duar.
Gjatë një prej seancave të para me shokët e skuadrës kuqezi, ai tregoi aftësitë në ‘basketboll’. Më pas, kur kaloi te driblimet klasike gjërat nuk shkuan shumë mirë, ndoshta edhe për shkak të emocioneve. Aq sa pas një gabimi tjetër, trajneri i tij e thirri atë duke i thirrur “Shko e luaj te Billy!”
Atëherë, ashtu siç ndodh sot, në Itali skuadrat e basketbollit shpesh merrnin emrin e sponsorit kryesor dhe në atë periudhë “Olimpia Milano” quhej “Billy Milano”, sipas emrit të një lëngu frutash të njohur në treg në vitet ’70 dhe ’80. Ishte një skuadër shumë e fortë, e aftë edhe për të fituar një kampionat (ai i dyfishtë në sezonin 1981-1982), pas një agjërimi të gjatë, prandaj dhe shumë e famshme.
Që atë ditë, ajo që fillimisht ishte një shaka, u kthye në më shumë se një pseudonim. Ai djalë i ri asokohe është shenjtëruar si një kampion i madh dhe pasioni për basketbollin nuk e ka braktisur kurrë.
“Jo të gjithë e dinë, por është sporti im i preferuar. Basketbolli është pasioni im i madh dhe nëse më duhet të zgjedh se çfarë të shikoj në TV, basketbolli është gjithmonë i pari”, – ka saktësuar Costacurta.