“100 vjet më parë u çelën punimet e Parlamentit të Parë Shqiptar”, njoftohet nga Drejtoria e Arkivave, një jubile që korrespondon me pragzgjedhjet për parlamentin e ri.
“Procesi i parë zgjedhor në Shqipëri zgjati disa muaj dhe më 21 prill të vitit 1921 u hapën punimet e Këshillit Kombëtar, PARLAMENTIT të parë në Shqipëri me deputetë të zgjedhur nga populli.
21 prilli i 100 viteve më parë ishte ditë e enjte dhe në mbledhjen që nisi në orën 10:00 para dreke, morën pjesë 56 deputetë që formonin shumicën e deputetëve të ardhur!
Përveç një numri të madh dokumentesh më rëndësi të posaçme për historinë e vendit që lidhen me këtë proces zgjedhor dhe gjithçka rrjedhoi prej tij, në Bibliotekën e Arkivit Qendror Shtetëror mund të gjeni këtë botim me fjalimet e deputetëve që folën në këtë seancë të parë historike që themeloi parlamentarizmin në Shqipëri.
Godina në të cilën u mblodh parlamenti, në vitet 1928-1939 u bë më ‘Pallati Mbretëror’ dhe sot është selia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”, informon Arkivi Shqiptar.