Extra Historia që frymëzoi filmin e famshëm, prindërit bashkohen me djalin e rrëmbyer...

Historia që frymëzoi filmin e famshëm, prindërit bashkohen me djalin e rrëmbyer pas 14 vitesh

Ata kaluan katërmbëdhjetë vjet në kërkim të fëmijës së zhdukur, duke udhëtuar nëpër Kinë me stendën e tyre, të transformuar në një tabelë: të gjitha fotot që kishin të fëmijës, ishin të ekspozuara, një shenjë që premtonte 200,000 juanë (31 mijë dollarë) shpërblim për ata që do të jepnin informacione të dobishme.

Qindra raportime, po aq zhgënjime të dhimbshme. Dukej si një nga shumë histori të pashpresa, sepse rrëmbimet e fëmijëve nga bandat e trafikantëve për dekada, kanë qenë një plagë e madhe në Kinë. Një statistikë e vitit 2015, numëronte 20,000 të zhdukur në vit.

Megjithatë, edhe në Kinë ndodhin mrekulli: çifti ripërqafoi djalin e tyre të humbur, i cili është bërë tashmë 18 vjeç.

Historia e djalit në fjalë, u bë frymëzim për regjisorin Peter Chan i cili realizoi filmin “Dearest”. Filmi fitoi më shumë se 50 milionë dollarë, dhe solli në qendër të vëmendjes çështjen e rrëmbimit dhe trafikimit të fëmijëve në Kinë.

Historia e vërtetë përfundoi këtë javë me një ceremoni bashkimi familjar të organizuar nga policia e Shenzhenit, e cila arrestoi hajdutin e fëmijëve dhe denoncoi çiftin që kishte birësuar djalin katër vjeçar (duke e blerë atë).

Fund i lumtur, por…

Ky kryqëzim që pati si protagoniste dy familje kineze, filloi në vitin 2007 në periferi të Shenzhen. Një djalë katër vjeçar po luante në rrugën përballë shtëpisë; babai po dremiste brenda. Pastaj errësirë.

Policia rindërtoi ngjarjen: një burrë i ishte afruar vogëlushit Sun Zhuo, e kishte joshur me një lodër dhe një karamele, pastaj e kishte marrë me vete.

Zhuo iu dha një familjeje tjetër në një fshat një mijë kilometra larg Shenzhenit. Ato ishin vitet e ligjit për një fëmijë të vetëm dhe shumë çifte kineze ishin të dëshpëruara që kishin një vajzë dhe jo një djalë.

Shumë iu drejtuan birësimeve, shpesh një birësim të rremë, sepse shumica e 20,000 fëmijëve të rrëmbyer çdo vit, u shit në tregun e zi trafikantëve.

Në vitin 2015, e nxitur nga rënia demografike, qeveria kineze shfuqizoi ligjin që kërkonte vetëm një lindje për familje dhe tani rrëmbimet kanë rënë në rreth njëzet në vit, thonë statistikat e Pekinit.

Si në fundin e një lufte apo të një fatkeqësie të madhe natyrore, mbetën mijëra fëmijë të zhdukur dhe familje në ankth. Si shumë të tjerë, prindërit e Sun Zhuos nuk pushuan kurrë së kërkuari atë.

Janë krijuar edhe shoqata të të afërmve të të rrëmbyerve, të cilët kanë bashkuar forcat në ueb dhe kanë nisur të shkëmbejnë informacione (më e famshmja quhet “Baobei Hujia”, (vogëlush, kthehu në shtëpi) dhe ka zbardhur dhjetëra raste. U organizua edhe policia dhe në vitin 2016 nisi programin “Tuanyuan” (Ribashkim): është një bazë të dhënash që mund të konsultohet në ueb që përmban emra, foto dhe informacione për mijëra fëmijë të humbur.

Policia ka aktivizuar 3.000 pika të grumbullimit të gjakut, në të cilat prindërit mund të drejtohen për të lënë një mostër dhe për të lejuar ekspertët e mjekësisë ligjore të analizojnë ADN-në e tyre.

Sipas Ministrisë së Sigurimit të Shtetit, 530 milionë kinezë janë interesuar të paktën një herë për një nga rastet që përmban baza e të dhënave “Tuanyuan”: ky numër lë të kuptosh se sa serioz dhe i ndjerë është problemi i trafikimit të fëmijëve në Kinë.

Rezultatet ishin spektakolare: këtë vit ekipi special i policisë, gjurmoi rreth 8.000 fëmijë që kishin rënë në rrjetin e trafikimit ose kishin humbur dhe arrestoi 700 persona.

Në kërkimin e madh, dolën edhe të rriturit që ishin zhdukur shumë kohë më parë, në moshë të re. Ky është rasti i fëmijës së rrëmbyer pikërisht në Shenzhen në vitin 2007 dhe që rishfaqet sot në moshën 18-vjeçare, gjimnazist.

Kërkon të qëndrojë me familjen që e “bleu”

Emri i tij nuk është më Sun Zhuo, ai mori emrin e prindërve të tij birësues, të cilët kishin pasur një vajzë dhe blenë djalin. Ai u rrit në një fshat në provincën Shandong, studioi dhe tani është në vitin e fundit të shkollës së mesme.

Sipas të gjitha gjasave, fqinjët e familjes së re të djalit, e kanë ditur se si ka ardhur dhe prej vitesh kanë heshtur. Heshtje e përbashkët në këto histori, thotë policia. Gjithashtu u identifikua hajduti i fëmijëve, me emrin Wu, i cili u fut në burg. Në fakt, kjo histori nuk u mbyll me kaq.

Djali u dërgua në Shenzhen për ceremoninë e bashkimit familjar, pati përqafime dhe lot të shumtë të ndarë me prindërit e tij biologjikë. Por më pas, djali tha se donte të kthehej në Shandong, te çifti që e kishte birësuar atë dhe motrën e tij: “Unë isha me ta për dhjetë vjet, ata më rritën dhe më bënë të studioja, kërkoj falje, tani e di që kam dy familje”.