Kryesore Shorti i gafave në Champions: Messi humb sfidën me Ronaldon, por gjen...

Shorti i gafave në Champions: Messi humb sfidën me Ronaldon, por gjen Realin

Inter-Liverpool dhe PSG-Real Madrid janë dy supersfidat e fazës së 1/8-ave të Champions League. Në shortin e paprecedentë, të hedhur dy herë për shkak të një problemi teknik, zikaltrit do të përballen me një nga skuadrat më në formë të momentit, ndërsa Leo Messi rigjen rivalët madrilenë. Në shortin e parë, Messi do të luante kundër Cristiano Ronaldos dhe Manchester United.

UEFA gaboi gjithçka dhe në mënyrë të paprecedentë vendosi të përsëriste shortin, ku u përcaktuan çiftet e fazës së 1/8 në Champions League. Gabimi lidhej me faktin që Villarreali u shfaq si kundërshtar i Manchester United, një duel që sipas rregullores nuk mund të luhej, pasi ekipet ishin ndeshur në grupe.

Kjo bëri që në Nyon të përsëritej shorti, ku skuadra më e pafatë ishte Interi.

Zikaltërit fillimisht duhej të luanin me Ajax, një prej dy skuadrave më të lehta në vazon e favoritëve. Por me përsëritjen e shortit, goglat vendosën që skuadra e Inzaghi të jetë përballë Liverpool. Reds janë ndoshta rivali më i vështirë i mundshëm, duke qenë se janë edhe mes pretendentëve për të fituar kurorën europiane.

Shorti mbeti i vështirë për Paris Saint Germain, që do të sfidojë Realin e Madridit. Lionel Messi kthehet në Bernabeu si kundërshtar, këtë herë me fanellën e parizienëve, ku së bashku me Mbappe, yllin që Los Blancos kërkojnë ta afrojnë gjatë verës, do të synojnë të largojnë nga gara një prej rivalëve direktë.

Buzëqesh Juventusi, që do të ketë në rrugën e tij Villarreal, teksa Atlético Madrid do të sfidojë Manchester United të Cristiano Ronaldos. Bayernin e pret ndeshja me Salzburg, teksa Manchester City sfidohet nga Sporting Lisbon. Benfica do të provojë mrekullinë ndaj Ajax, teksa Chelsea kampion në fuqi do të luajë ndaj Lille. Ndeshjet e para të fazës së 1/8 do të luhen në datat 15-16 dhe 22-23 shkurt, ndërsa takimet e kthimit ndërmjet datave 8 dhe 16 mars.

Shorti i fazës së 1/8-ave

Salzburg – Bayern Munchen

Sporting – Manchester City

Benfica – Ajax

Chelsea – Lille

Atlético Madrid – Manchester United

Villarreal – Juventus

Inter – Liverpool

Paris SG – Real Madrid