Një 50-vjeçare, nënë e një djali ka rrëfyer në emisionin “Historia ime” në Tv Klan dhunën e ushtruar nga bashkëshorti i saj, për 20 vite me radhë. Për shkak të xhelozisë së tejskajshme, burri nuk e linte të dilte as nga shtëpia. Dhuna vazhdoi edhe gjatë shtatzënisë dhe 3 fëmijët e saj lindën të pazhvilluar dhe si pasojë ndërruan jetë.
Më tej, ajo rrëfen se pas 15 vitesh, bashkëshorti i sjell në shtëpi të dashurën e tij. Frika prej tij e bën të heshtë dhe të pranojë jetesën në të njëjtën shtëpi me të për 5 vite. Dhunës së burrit të saj nuk i shpëtoi as e dashura, e cila pati një fëmijë me të.
Mirela Milori: 20 vite, si durove?
50-vjeçarja: Durova për hir të fëmijëve, ngaqë më vdiqën 3. Ai djalë është gjithçka për mua.
Mirela Milori: Megjithatë mbas 10-15 vitesh martesë, hyn një tjetër person në jetën tuaj?
50-vjeçarja: Po!
Mirela Milori: Sjell dikë tjetër në familje?
50-vjeçarja: Mbas 15 vitesh martesë, që nuk më linte të dilja tek dera, shumë xheloz, vjen një person tjetër në shtëpinë tonë.
Mirela Milori: Një grua tjetër?
50-vjeçarja: Një grua tjetër, bëhet pjesëtare e familjes. Aty jetoj me atë për 5-vite.
Mirela Milori: Pjesëtare e familjes me çfarë statusi?
50-vjeçarja: E solli burri…
Mirela Milori: E dashura e burrit ishte kjo?
50-vjeçarja: Po!
Mirela Milori: Si e solli? Si tha?
50-vjeçarja: Thjesht kjo është e dashura ime, s’kisha rrugë tjetër.
Mirela Milori: Reagove?
50-vjeçarja: Jo! Kisha shumë frikë, isha e stresuar, as haja, as pija, Zoti dhe shpirti e di.
Mirela Milori: Atë e godiste?
50-vjeçarja: Po.
Mirela Milori: Po ti si shkoje me të?
50-vjeçarja: Tani mund ta mendosh, dy motra zihen jo më ta kesh… shumë e vështirë. Edhe ajo ishte viktimë e dhunës.
Mirela Milori: Pati fëmijë nga kjo martesë?
50-vjeçarja: Po, një djalë.