Bota Dyshohen për spiunazh, SHBA dëboi në fshehtësi dy diplomatë të Kinës

Dyshohen për spiunazh, SHBA dëboi në fshehtësi dy diplomatë të Kinës

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar në atdhe dy funksionarë të ambasadës së Kinës, të cilët në shtator tentuan të hynin në një bazë ushtarake në Virxhinia. Dëbimi ka ndodhur në fshehtësi të plotë. Zbulimi është bërë nga gazeta e njohur “New York Times” dhe sipas të përditshmes amerikane, kjo është hera e parë në mbi 30 vite që Uashingtoni dëbon diplomatë kinezë të dyshuar për spiunazh.

Njëri prej tyre ishte dhe funksionar inteligjence që operonte në fshehtësi. Në vjeshtë, dy diplomatët, të shoqëruar nga bashkëshortet, kishin drejtuar automjetin e tyre deri në pikën e kontrollit në hyrje të bazës ushtarake. Bëhet fjalë për një bazë strategjike pasi aty qëndrojnë Forcat Special amerikane.

Diplomatët nuk kishin autorizim dhe u lejuan që të hynin pak metra sa për të kthyer automjetin dhe të largoheshin. Por ata refuzuan duke vazhduar drejtë brenda bazës ushtarake, derisa u bllokuan nga një kamion.

Nuk është i qartë motivi i këtij inkursioni, por autoritetet amerikane dyshojnë se kinezët kërkonin të studionin masat e sigurisë. Për selinë diplomatike të Pekinit, qytetarët nuk dinin mirë anglisht dhe kanë ngatërruar urdhrin e rojeve të bazës ushtarake.