Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara votoi për shkarkimin e kryetarit të saj, Kevin McCarthy. Është hera e parë në historinë e vendit që shkarkohet kreu i Dhomës së Përfaqësuesve.
Zoti Gaetz, një republikan i vijës së ashpër, e kishte akuzuar zotin McCarthy se nuk kishte bërë sa ç’duhej për të shkurtuar shpenzimet federale.
Për shkak të epërsisë së lehtë republikane ndaj demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, mjaftonte vota kundër e vetëm një numri të vogël republikanësh, së bashku me ato të demokratëve për të shkarkuar zotin McCarthy.
Shumica e republikanëve votuan për të mbajtur McCarthy në detyrë.
“Mendohuni mirë përpara se të na zhytni në kaos, sepse ai do të jetë rezultati nëse e lëmë atë post të zbrazët”, i paralajmëroi ligjvënësi Tom Cole kolegët e tij republikanë në debatin në sallën e Kongresit të martën.
Zoti Gaetz u kundërpërgjigj:
“Unë nuk mendoj se votimi kundër Kevin McCarthy-t është kaos. Mendoj se 33 trilionë dollarë borxh është kaos. Mendoj se përballja me një deficit vjetor prej 2.2 trilion dollarësh është kaos”.
Disa republikanë kishin shprehur gjithashtu pakënaqësinë në lidhje me një marrëveshje që zoti McCarthy kishte arritur me Presidentin Joe Biden në fillim të këtij viti për të kufizuar nivelet e shpenzimeve në këmbim të rritjes së tavanit të borxhit.
“Shumë prej nesh i ishin lutur në mënyrë të përsëritur kryetarit, që të përdorte kërkesën për ngritjen e tavanit të borxhit për të nxitur shkurtimet e shpenzimeve dhe reformat. Përkundrazi, ai negocioi një rritje të pakufizuar të tavanit të borxhit,” tha ligjvënësi republikan Bob Good në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve të martën, duke u kërkuar kolegëve të tij të votonin për shkarkimin e zotit McCarthy.
Është hera e parë në Shtetet e Bashkuara që një kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve shkarkohet nga posti.
“Po të numëroja se sa herë dikush ka dashur të më shkarkojë, do isha larguar shumë kohë më parë”, u tha zoti McCarthy gazetarëve të martën në mëngjes.
Ashtu si në negociatat e fundit për shmangien e një mbylljeje të qeverisë federale, epërsia e lehtë republikane në Dhomën e Përfaqësuesve nënkuptonte se demokratët i kishin numrat për të ndikuar në votën për zotin McCarthy.
Në një letër drejtuar demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve të martën në mëngjes, udhëheqësi i demokratëve Hakeem Jeffries i kërkoi grupit të tij të votonte për të hequr McCarthy nga detyra.
“Demokratët e Dhomës mbeten të gatshëm të gjejnë gjuhën e përbashkët. Fatkeqësisht, kolegët tanë ekstremë republikanë nuk kanë treguar gatishmëri për të bërë të njëjtën gjë. Tani është përgjegjësi e anëtarëve Partisë Republikane që t’i japin fund Luftës Civile mes republikanëve në Dhomës së Përfaqësuesve,” shprehej zoti Jeffries.
Vota për shkarkimin e zotit McCarthy kërkonte një shumicë të thjeshtë në Dhomën e Përfaqësuesve prej 435 anëtarësh. Republikanët kontrollojnë dhomën me një shumicë 221-212 ndaj demokratëve të opozitës.
Shkarkimi i zotit McCarthy nga posti i kryetarit në thelb paralizon aktivitetin legjislativ në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa ajo përballet me një tjetër afat për mbylljen e qeverisë më 17 nëntor nëse Kongresi nuk voton për zgjatjet e afatit.
Shtëpia e Bardhë tha se shpreson që Dhoma të lëvizë me shpejtësi për të zgjedhur kryetarin e ri, në një post që është i dyti në radhë në hierarkinë politike në Shtetet e Bashkuara pas atij të presidentit dhe nënpresidentit./VOA